Higuain refuzon çdo ofertë: Dua ta mbyll karrierën te Juve

SPORT


Me shumë gjasa Gonzalo Higuain do të vazhdojë të qëndrojë te Juventusi. El Pipita ka refuzuar edhe ofertën e fundit të Romës në të cilën përfshihej një kontratë 4-vjeçare me një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, pasi bomberi argjentinas kërkon të luajë të gjitha kartat e tij te Juventusi me mentorin e tij Maurizio Sarri në stol.

Higuain është i lumtur me Sarrin te bardhezinjtë dhe siç ka konfirmuar edhe babai i tij në një intervistë, bomberi amerikano-jugor nuk ka ndërmend të largohet nga Torino. “Në Itali ndihet mirë dhe është i lumtur. Ka një raport special me tifozët dhe me drejtuesit e Juves. Është në një moment ideal për ta mbyllur karrierën me Juventusin, me të cilët ka edhe dy vite të tjera kontratë”, deklaroi i ati i Higuian.

El Pipita te Juventusi përfiton 7,5 milionë euro në sezon dhe sipas të gjitha Gonzalo do të qëndrojë te kampionët e Italisë edhe pas përfundimit të merkatos së verës pasi nuk kërkon të provojë më aventura të reja pas eksperiencave të dështuara te Milani dhe Chelsea.



Skip to toolbar