Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e së mërkurës Selenicën, ku një 47-vjeçar u ekzekutua në derë të shtëpisë. Nikola Ikonomi, i njohur me emrin Laver Tozaj u gjet i plagosur rëndë në derën e shtëpisë dhe më pas ndërroi jetë në spitalin e Vlorës.
Për këtë ngjarje policia ka shoqëruar deri tani 15 persona të cilët po merren në pyetje për të zbardhur më tej ngjarjen.
Në vendin ku vra Tozaj u gjetën 7 gëzhoja plumbash. Fqinjët e Tozajt kanë deklaruar në polici se nuk kanë parë lëvizje makinash. Ndërsa në rrugën ku ai u gjet i vrarë nuk kishte ndriçim. Dyshohet se ka qenë vetëm një person që e ka qëlluar. Policia po heton pistën e prishjes së pazareve të drogës.
Dyshohet se ai është qëlluar me pistoletë nga një person që e njihte mirë zonën.
Tozaj nuk ishte emër i panjohur për policinë. Më herët ai është akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Prishja e pazareve të drogës është edhe pista kryesore e hetimit.