Gjashtë muaj, pasi la qelinë në burgun e Drenovës në Korçë, Gert Gjinarari, miku i Arben Grorit, është shpallur sërish në kërkim kombëtar, pasi duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit me 25 vite burgim. Prej gati një muaj Gert Gjinarari, i liruar nga qelia në 14 shkurt 2019 nga gjyqtari i Korçës, Markelian Kuqo, është shpallur në kërkim. Kjo pasi një vendim gjykate i marrë nga gjykata e Apelit Korçë, ka vendosur të ndryshojë vendimin e lirimit të Gjinararit dhe ta kthejë atë sërish në ambietet e burgut të Drenovës, ku të vuajë vitet e mbetura të dënimit me 25 vite burgim.
Aktualisht vendimi është vënë në ekzekutim nga prokuroria e Korçës, e cila ka kërkuar nga policia e këtij qyteti që të arrestojë Gert Gjinararin. E njëjta gjë i është kërkuar dhe Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku ka vendbanimin Gjinarari, por prej një muaji ky i dënuar megjithëse ishte në shërbim prove dhe duhet të paraqitej një herë në javë pranë këtij shërbimi, ai ka humbur gjurmët. Lirimi i Gjinararit dhe më pas arratisja e tij sjell edhe njëherë në vëmendje sistemin e dobët të drejtësisë në Shqipëri, ku një i dënuar me 25 vite burgim për akuzën e vrasjes lirohet nga qelia për sjellje të mirë duke u vënë në shërbim prove dhe më pas zhduket pa lënë asnjë gjurmë, duke iu fshehur drejtësisë.
Kontrollet e policisë
Shqiptarja.com raporton se gjatë një muaji janë kryer disa kontrolle në Tiranë, Korçë dhe Durrës, me shpresën e arrestimit të Gert Gjinararit dhe kthimin me tij në qeli, por të gjitha ndërhyrjet kanë qenë pa rezultat. Gert Gjinarari u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, ndërsa akuzohet si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Naim Zyberit. Një pjesë të dënimit me 25 vite burgim Gjinarari e ka kryer në Itali dhe Shqipëri në burgun e Drenovës, por në 14 shkurt 2019 gjyqtari Markelian Kuqo vendosi ta lirojë me kusht mikun e Arben Grorit, duke urdhëruar që dënimin e mbetur ta kryejë në shërbim prove.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e quajti vendimin e lirimit skandal të drejtësisë shqiptare. Gjonaj në muajin shkurt i kërkoi KLGJ të nisë procedimin disiplinor për gjyqtarin Markelian Kuqo që e liroi, si dhe pezulloi nga detyra drejtuesit e burgut të Drenovës që i përgatitën Gjinararit dosjen e lirimit.
Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali.
Vrasja në spitalin e Milanos
Naim Zyberi u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të Rrugës Bardhyl.
Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës, pasi ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino.
Aty Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Ai u dërgua për mjekim më të specializuar në spitalin e Milanos, ku më datë 6 gusht, Gerd Gjinarari, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, u futën në dhomën e tij dhe e qëlluan për vdekje.