Të hënën më 19 gusht, Prefekti i Qarkut Shkodër ka thirrur mbajten e mbledhjes së parë të këshillit të ri bashkiak të këtij qyteti, dalë në zgjedhjet e 30 qershorit, ku në rendin e ditës, do të jetë pikërisht konstituimi i këshillit. Në të njëjtën orë kur është thirrur mbledhja, 10:00 paradite, dega lokale e PD-së në Shkodër ka thirrur një protestë, që sipas saj do të jetë paqësore dhe do të mbahet përpara prefekturës. Me anë të një komunikate publikuar në rrjetet sociale, PD e Shkodrës shprehet se nuk do të lejojë konstituimin e këshillit të ri bashkiak të Shkodrës, që sipas tyre është ilegjitim.
“Partia Demokratike,dega Shkodër ditën e nesërme në orën 10:00,para Prefekturës do të organizojë një protestë paqësore për mbrojtjen e vlerave të demokracisë e të dinjitetit tonë si qytetarë të Shkodrës. Ne nuk duhet asesi të pranojmë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Aty ku krejt pranë, 30 vite më parë jemi mbledhur të gjithë pa asnjë ndasi politike, të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist. Pikërisht vendin që me 2 Prill, 4 dëshmorët e Demokracisë e lanë me gjakun e tyre e ku qindra të tjerë u plagosën”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e PD-së.
Më tej, në këtë deklaratë, cilësohet ‘provokim’ faktin që si godinë për mbajtjen e parë të mbledhjes së këshillit bashkiak të Shkodrës, është zgjedhur ish godina e Komitetit të Partisë Komuniste. Ndërsa, në fund të deklaratës, gjuha ashpërsohet në formën e kërcënimit, ku PD e Shkodrës, i drejtohet kryeministrit Edi Rama me fjalët “mos luajë me zjarrin, mos luajë me Shkodrën”.
“Rilindasit zgjodhën ish komitetin e partisë për të konstituar këshillin ilegjitim vetëm për të provokuar qytetarët e Shkodrës. Ne nuk mund të pranojmë të jemi dëshmitarë të vendosjes së një tjetër regjimi. I bëjmë thirrje Edi Ramës të mos luajë me zjarrin, të mos luajë me Shkodrën! Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për Zot vetes”, përfundon deklarata.