Tërmeti, Bashkia Tiranë: Qira 1-vjeçare për 1082 familje. Dokumentet që duhen

Bashkia e Tiranës do t’i paguajë qiranë e shtëpisë me vlerën e tregut familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi të martën një sërë vendimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me përballimin e situatës së krijuar si rrjedhojë e tërmetit të javës së shkuar, ku ndër të tjera edhe pagesën e plotë të qirasë për një periudhë 1 vjeçare për rreth 1082 familje, banesat e të cilëve janë dëmtuar dhe janë bërë të pabanueshme.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se pagesa do bëhet e vlefshme edhe për muajin dhjetor.

“Vendimi i dytë është ndoshta vendimi më i rëndësishëm që marrim sot: Për pagesën e plotë të qirasë sipas vlerës së tregut për familjet që janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Nuk është vetëm një vendim financiar, është edhe një vendim për thjeshtimin e procedurave se si këto familje duke nisur nga nesër do aplikojnë për të marrë 100% qira, sipas vlerës të tregut”, u shpreh Veliaj.

Më tej, ai sqaroi se përfitojnë pagesën e plotë ato familje që i janë dëmtuar shtëpitë dhe që nga akt konstatimet e hartuara nga Instituti i Ndërtimit është arritur në konkluzionin për evakuimin e tyre nga këto banesa.

Vlera e pagesës sipas vlerës së qirasë së tregut të lirë sipas strukturave përkatëse të apartamenteve, të jetë si më poshtë:

a.            Qiraja për strukturën e apartamentit për 1+1, 18 mijë lekë.

b.            Qiraja për strukturën e apartamentit për 2+1, 220 mijë lekë.

c.             Qiraja për strukturën e apartamentit për 3+1, 270 mijë lekë.

Ndërkohë që sipas vendimit, familjet që aplikojnë për përfitimin e pagesës së qirasë sipas këtij vendimi duhet të depozitojnë pranë njësisë administrative ku kanë vendbanimin e tyre, dokumentacionin si më poshtë:

a.            Formularin e aplikimit, i cili gjendet pranë njësisë administrative, sipas formatit bashkëlidhur këtij vendimi;

b.            Akt konstatimi i Institutit të Ndërtimit;

c.             Certifikatë familjare;

d.            Numrin e llogarisë bankare, ku do të derdhet pagesa e qirasë.

Aplikimi dhe dokumentacioni, dorëzohet pranë njësisë administrative përkatëse

Epoka pas Valdrinit, debat i fortë në PS Shkodër

Një ditë para mbledhjes së këshillit të ri bashkiak të Shkodrës, të dielën më 18 gusht, dega lokale e Partisë Socialiste e këtij qyteti ka zhvilluar një mbledhje, ku është diskutuar rreth zhvillimeve në bashkinë e Shkodrës, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit. Mbledhja e drejtuar nga ish zëvendës kryeministrja Senida Mesi, dhe me praninë e deputetëve të PS në Shkodër, është shoqëruar nga debate të forta. Realstory.al ka siguruar procesverbalin e kësaj mbledhje, ku shihet se disa anëtar të kryesisë së PS në Shkodër shprehin zhgënjimin e madh për situatën e krijuar, duke thënë se ndihen ‘të turpëruar’. Pas fjalës hapëse të mbajtur nga Senida Mesi, që propozon emrin e Brisela Kadia si kryetare të re të këshillit bashkiak të Shkodrës, ka reaguar ashpër anëtarja e kryesisë, Tereze Brigja, që shprehet se socialistët e Shkodrës “nuk janë dele”.

“Ne nuk jemi dele që na vini me këta urdhra. Së pari të vini e të kërkoni falje për Kryetarin që kishim. Nuk kam gjë kundra emrit që propozoni! Por e njohu KM Valdrinin që na e soli pa pyet?? Po ashtu pa na pyet e pa e njohtë po na sjell dhe këtë herë! Na turpëruat. U detyrohemi falje njerëzve që përfaqësojmë e mos ta shtojmë turpin”.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Bledian Nika, duke kërkuar që Valdrin Pjetri të kërkojë falje. “Së pari të vinë të na kërkojnë falje. Edhe ju që jeni aty, po..po. Se nuk u morët vesh ju në këta 2.5 vite jemi në këtë gjendje që na katapultojnë njerëz pa na pyet. Unë flas e kam të drejtë të flas, se kam sjellë ma shumë vota se secili në këtë sallë…Dhe mos më drejto gishtin mua kur flet”.

Më tej debati është ashpërsuar, kur Tereze Brigja ka kërkuar që në mbledhje duhet të ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ndërsa thotë se me Valdrinin i është bërë gropa socialistëve të Shkodrës.

“Ne jemi në demokraci, dhe nuk pranojmë të komandohemi kështu. Do doja shumë të ishte Edi rama këtu, ti them si më dhemb shpirti për këtë gjendje ku është katandisë PS Shkodër. Na bëri gropën me atë kandidat, që siç e pamë as në zonë të vet në Rrenc nuk fitoi. Nuk pat aftësi me njohtë kandidatin…si merr përsipër me na detyru prap figurë tjetër… Flas se kam kontribut në vite…kam derdhë djersë. A e dini ju ça do me thanë me drejtu njerëz me votu deri në maje të Dukagjinit, nëpër një shteg rruge ku kanë vdekë mbi 75 vetë?? Nuk e dini…se nuk ka të ngjashëm në qytet kjo sforco…Nuk kam më besë ndër njerëz me u kërku votë…se jena malsorë e kena besë! Keni bërë gabim fatal, dhe tani vini prap na komandoni! Të zhytur në turp”.

Ndërkohë debati ka vijuar edhe për emrin e kryetares së këshillit bashkiak, e cila nuk ka gjetur dakordësinë e kryesisë së PS në Shkodër. “Pse na vendosni gisht për të zgjedhur një femër? Ça lidhje ka? Nuk e thotë ligji! Po qe për ashtu kemi Aurora Dibrën”, ka thënë Diana Muriqi. Por Senida Mesia është shprehur se ajo është propozim politik. “Ne kemi urdhër politik për këtë emër. Dhe mos më tregoni mua procedurën e Këshillit Bashkiak”./Realstory.al/

Këshilli bashkiak i kufizon pushtetin, Voltana Ademi ‘zbaton vendimet’ e tij

Të hënën paradite u bë konstituimi i këshillit bashkiak të Shkodrës, dalë prej zgjedhjeve të 30 qershorit. Në mbledhjen, që u shoqërua me protesta, mungoi Valdrin Pjetri, i cili nuk u paraqit të bënte betimin si kryetar i bashkisë së Shkodrës, pasi më herët lajmëroi se ‘nuk do të merrte mandatin’. Në këto kushte, Voltana Ademi do të vijojë të jetë kryetare e bashkisë së Shkodrës, deri në zgjedhjet e ardhshme për kryebashkiak, që me gjasa do të mbahen së shpejti, duke përdorur nenin 161 të Kodit Zgjedhor, që parashikon një dispozitë ligjore për nxjerrjen të pavlefshme të zgjedhjeve (lexo shkrimin në Realstory.al).

Megjithatë, edhe pse një situatë konfuze sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, Voltana Ademi do ta ketë të vështirë të drejtojë Shkodrën në kushte normale. Pasi, sipas ligjit për Pushtetin Vendor, këshilli bashkiak është një institucion i rëndësishëm vendimarrës për çështje të rëndësishme. Konkretisht, sipas Nenit 54 të ligjit për Pushtetin Vendor, përcaktohen qartë kompetencat që ka Këshilli bashkiak.

Veç faktit që miraton rregulloren e brendshme të komisioneve të ndryshme të këshillit, emëron zëvendëskryetarin apo sekretarin  e tij, Këshilli bashkiak miraton nivelin e pagave apo shpërblimet për punonjësit e bashkisë. Miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose me të cilët është bashkëthemelues.

Miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë. Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve; organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm të bashkisë; vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi.

Vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve; vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të vetëqeverisjes vendore, përfshirë subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë; vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet; zgjedh përfaqësuesit e këshillit bashkiak në këshillin e qarkut, të cilët, në jo më pak se 50 për qind të tyre, duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar; vendos për dhënien ose deklarimin e mbarimit të mandatit të këshilltarit, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në nenin 49 të këtij ligji, etj.

Pra duke u nisur nga këto kompetenca, Këshilli bashkiak është një parlament i rëndësishëm lokal, që do të ketë në dorë çdo vendimmarrje për qytetarët e Shkodrës, duke anashkaluar edhe kryetaren e bashkisë. Madje, Këshilli bashkiak do të mund të mbikëqyr punën e bashkisë dhe të Voltana Ademit, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Në këto kushte, Voltana Ademi do të ketë pushtet të kufizuar, e cila gjithashtu, sipas Nenit 64 të ligjit për Pushtetin Vendor, sipas pikës ‘b’ të këtij neni, ka detyrën për të ‘zbatuar aktet e këshillit bashkiak’. Do të jetë parlamenti i ri lokal që do të qeverisë Shkodrën, duke e detyruar Voltana Ademin të zbatojë vendimet e tij.

Rasti i Dibrës dhe hapësira ligjore, ja si PS mund ta largojë Voltana Ademin

Pavarësisht dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryetarit të ri të Bashkisë Shkodër, Partia Socialiste ka vendosur që në datën 19 gusht të bëhet konstituimi i këshillit të ri bashkiak. Sipas ligjit “Për pushtetin vendor”, në nenin 61, për “Përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë”, në pikën 1/a thuhet se “mandati i kryetarit të bashkisë përfundon para afatit në rast kur kryetari, nuk pranon të bëjë betimin”. Më pas, në pikën 2 të këtij neni, përcaktohet dhe procedura që ndiqet në rastet e dorëheqjes.

“Kryetari i bashkisë në rastet e dorëheqjes e depoziton atë pranë këshillit bashkiak përaktës. Sekretari i këshillit, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton prefektin për dorëheqjen e kryetarit”, thuhet në pikën 2 të nenit 61. Në këto kushte, duket se mazhoranca nuk do të lejojë që procedurat e dorëheqjes së Valdrin Pjetrit t`i ndjekë sekretari i mëparshëm i këshillit bashkiak të Shkodrës, por përmes konstituimit të këshillit të ri, këtë detyrë do ta bëjë sekretari i ri i këshillit bashkiak.

Por në këtë pikë, mazhoranca ka dhe arsye të tjera pse duhet të bëjë konstituimin e këshillit bashkiak. Në kushtet kur Valdrin Pjetri nuk do të jetë më kryetar bashkie, mazhoranca, duke shfrytëzuar nenin 61 të ligjit të pushtetit lokal, duket se do të përdor një plan “B” për të drejtuar Shkodrën, duke mos e lënë qytetin verior në dorë të Voltana Ademit, mandati i së cilës përfundon në datën 20 gusht. Konkretisht, në nenin 4, shkruhet se “Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.

Por, duke marrë parasysh faktin që Ilir Meta mund të mos dekretojë një datë të re për zgjedhjet në Shkodër, dhe në kushtet kur 13 tetori nuk njihet nga qeveria si datë për zgjedhjet lokale (pasi e ka rrëzuar Kolegji Zgjedhor), mazhorancës i vjen në ndihmë pika 5 e nenit 61 të ligjit “Për pushtetin vendor”. Konkretisht, në këtë pikë thuhet: “Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë.

Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”. Pra, kjo pikë mund t`i japë zgjidhje situatës në Shkodër, në mënyrë që mazhoranca të ketë kontrollin e bashkisë. Por fillimisht, do të duhet të sqarohet pika 4 e nenit 60, po në këtë ligj, ku shkruhet se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.

Sipas këtij përcaktimi ligjor, kryetarit të bashkisë i mbaron mandati kur bën betimin i riu. Në këto kushte, mund të ekzistojë edhe një tjetër skenar, pavarësisht dorëheqjes pa e bërë betimin, Valdrin Pjetri mund të betohet më 19 gusht sa për të bërë të pavlefshëm mandatin e Voltana Ademit, dhe më pas të deklarojë dorëheqjen zyrtare para këshillit të ri bashkiak, por duke emëruar një zëvendës kryetar. Në këto kushte zgjidhet një zëvendës kryetar, që merr drejtimin e Bashkisë Shkodër, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Drejtimi i bashkisë nga zëvendëskryetari nuk është një rast i panjohur në vendin tonë. Në 21 maj të vitit 2016, këshilli bashkiak i Bashkisë Dibër, vendosi të emëronte zëvendës kryetarin e bashkisë, Et’hem Fida si drejtues të Bashkisë, pas largimit të Shukri Xhelilit, që iu publikua një videoskandal. Fida e drejtoi bashkinë e Dibrës deri në momentin që u mbajtën zgjedhjet e reja, data e të cilave u përcaktua pas vendimit të formës së prerë nga gjykata. Megjithatë, rasti Pjetri dhe Shkodra janë në kushte të tjera, por në thelb është i njëjtë. Tashmë mbetet për t`u parë se çfarë do të ndodhë të hënën më 19 gusht, nëse do të jetë ky skenari, apo mazhoranca ka menduar diçka tjetër./Realstory.al/.

Kërcënon PD: Rama mos luaj me zjarrin, s`lejojmë konstituimin e këshillit në Shkodër

Të hënën më 19 gusht, Prefekti i Qarkut Shkodër ka thirrur mbajten e mbledhjes së parë të këshillit të ri bashkiak të këtij qyteti, dalë në zgjedhjet e 30 qershorit, ku në rendin e ditës, do të jetë pikërisht konstituimi i këshillit. Në  të njëjtën orë kur është thirrur mbledhja, 10:00 paradite, dega lokale e PD-së në Shkodër ka thirrur një protestë, që sipas saj do të jetë paqësore dhe do të mbahet përpara prefekturës. Me anë të një komunikate publikuar në rrjetet sociale, PD e Shkodrës shprehet se nuk do të lejojë konstituimin e këshillit të ri bashkiak të Shkodrës, që sipas tyre është ilegjitim.

“Partia Demokratike,dega Shkodër ditën e nesërme në orën 10:00,para Prefekturës do të organizojë një protestë paqësore për mbrojtjen e vlerave të demokracisë e të dinjitetit tonë si qytetarë të Shkodrës. Ne nuk duhet asesi të pranojmë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Aty ku krejt pranë, 30 vite më parë jemi mbledhur të gjithë pa asnjë ndasi politike, të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist. Pikërisht vendin që me 2 Prill, 4 dëshmorët e Demokracisë e lanë me gjakun e tyre e ku qindra të tjerë u plagosën”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e PD-së.

Më tej, në këtë deklaratë, cilësohet ‘provokim’ faktin që si godinë për mbajtjen e parë të mbledhjes së këshillit bashkiak të Shkodrës, është zgjedhur ish godina e Komitetit të Partisë Komuniste. Ndërsa, në fund të deklaratës, gjuha ashpërsohet në formën e kërcënimit, ku PD e Shkodrës, i drejtohet kryeministrit Edi Rama me fjalët “mos luajë me zjarrin, mos luajë me Shkodrën”.

“Rilindasit zgjodhën ish komitetin e partisë për të konstituar këshillin ilegjitim vetëm për të provokuar qytetarët e Shkodrës. Ne nuk mund të pranojmë të jemi dëshmitarë të vendosjes së një tjetër regjimi. I bëjmë thirrje Edi Ramës të mos luajë me zjarrin, të mos luajë me Shkodrën! Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për Zot vetes”, përfundon deklarata.

Veliaj mbledh Këshillin Bashkiak: Piramida do të jetë histori suksesi

Edhe pse ka nisur fushatën zgjedhore, kryebashkiaku Veliaj mblodhi të premten Këshillin Bashkiak të Tiranës, pasi siç tha edhe ai, disa vendime janë të rëndësishme e duhen miratuar, pasi nuk presin dot gjatë.

Një ndër këto vendime është miratimi i ngritjes së qendrës që do të menaxhojë piramidën, ndërsa deklaroi se rikonstruksioni i saj do të jetë një tjetër histori suksesi e Bashkisë së Tiranës.

Një tjetër vendim i rëndësishëm është ndërtimi i 4 banesave në fshatin Floq të Korçës që u prekën nga tërmetet. Bashkia e Tiranës do të japë kontributin e saj duke ndërtuar 4 shtëpi.

“Ndërtojmë 4 banesa në Floq. Një vendim për efekt të Emrgjencave Civile është përgjigja e  Tiranes për tu solidarizura me të prekurit nga tërmetet. Ushtria do të bëjë implementimin. Bashkia e Tiranës do të jemi të gatshmë të ndihmojmë me elektorshtëpiaket edhe paisjet e tjera. Në Tiranë i shohim gjërat me sy për ti bërë më mirë. Është në nderin e  Tiranës për të qënë solidar me Korçën. Ky është një vendim që fusim jashtë radhe”, tha Veliaj.

Më tej ai lexoi vendimet e tjera të mbledhjes ku përfshihet edhe strehimi i 155 familjeve që u pëmbytën në lagjen 11 të Tiranës.

“Vendimi Emergjence për 155 familje në lagjen 11 që u përmbytën. Edhe pse kishin ndërtime pa leje. Kur dikush është dëmtuar ne kemi solidaritet. Nuk do bllokohet Astiri, Shkoza ose zgjatja e lumit  të Tiranës. As që diskutohet. Për asnjë arsye dhe asnjë parti që bërtet dhe bllokon rrugën. Kemi një listë për 40 shërbime të kartës së studentit. Deri në fund të verës pretendojmë të shkojë deri në 100 shërbime. Kemi arritur deri në 10 000 karta për studentët. Do të krijojmë për drejtorin e implementimit në terren. Agjenci permamente të bashkisë së Tiranës për Rininë. Ndërkohë edhe vendime për të ardhurat në buxhet. Apo fondin 100 milion për të prekurit në Floq. Një pjesë për fondin e emergjencave do t’ju gjendemi vëllezërve e motrave tona në Korçë”, ka deklaruar ndër të tjera Veliaj.

Skip to toolbar