Një nga kandidatët e lejuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ka kaluar vettingun një herë, do të kalojë sërish në këtë proces, pasi thuhet se është një ndër personat në “listën e zezë” të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, e cila përbëhet nga ekspertë të SHBA dhe BE dhe për pasurinë e tij është ankuar dhe Komisioneri Publik.
Besnik Muçi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, do të përballet të martën me Komisionin e Posaçëm të Apelimit, pasi sipas rekomandimeve të ONM, huat e kursimet e Prokurorit të Krimeve të Rënda Besnik Muçi nuk ishin të provuara e për pasojë të ardhurat e tij duhej të konsideroheshin të pajustifikuara. Po ashtu, toka bujqësore e përfituar nga bashkëshortja duhej të konsiderohej “mosdeklarim”.
Ankimi për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, nga Komisioneri Darjel Sina, kryesisht është fokusuar në mosverifikimin e plotë nga KPK të ligjshmërisë së të ardhurave nga huatë e deklaruara prej Muçit dhe në faktin që është përdorur një standard i ndryshëm në çështje të tjera të ngjashme.
Komisioneri po ashtu pretendon se KPK nuk ka vlerësuar drejt sa i përket mosdeklarimit nga bashkëshortja e Muçit të tokave arë dhe një pjese takuese truall në shtëpinë e prindërve. “Komisioneri Publik, ndryshe nga përfundimet e Komisionit për vlerësimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit, bazuar në aktet e administruara për këtë qëllim, vlerëson se subjekti nuk arrin të justifikojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive, si dhe gjendet në kushtet e mosdeklarimit të tyre”, thuhet në ankimin e Komisionerit Publik.
Muçi u konfirmua në detyrë nga KPK në gusht 2018, pas hetimit administrativ nga treshja e kryesuar nga Lulzim Hamitaj me relator Olsi Komicin dhe anëtare Brunilda Bekteshin, e cila arriti në përfundimin se ai mund të konfirmohej, megjithëse u gjetën disa pasaktësi në deklarimin e pasurive. Besnik Muçi ka nisur karrierën në vitin 2002 si prokuror në Tiranë ndërsa para se të kalonte në prokurorinë e krimeve të rënda ka punuar për një periudhë kohe në Policinë e Shtetit si drejtor i Krimit Financiar. Ai është kandidat për të qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Tashmë, Muçi është pranuar si kandidat nga KED edhe për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ku emri i tij është si në vakancat e Presidentit të Republikës ashtu edhe në ato të shpallura nga Kuvendi. Duke qenë se Gjykata Kushtetuese, është një nga çështjet më të nxehta, për shkak të përplasjes së kreut të shtetit me mazhorancën, duket se ka ndikuar edhe te kalendari i KPA, i cili do të nisë sesionin e ri pikërisht me ankimimin për Besnik Muçin, më 3 shtator. Trupa gjykuese për këtë rast do të kryesohet nga Sokol Çomo, ndërsa relator do të jetë Ardian Hajdari. Anëtarë do të jenë Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz. Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.