Kuvendi kërkon shkarkimin, Meta reagon me zgjidhje antikushtetuese

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me diskutimet në Komisionin parlamentar Hetimor për shkarkimin e tij. Ai e cilëson propagandë anti-president nismën e Kuvendit dhe diskutimet që zhvillohen në komisionin parlamentar hetimor për shkarkimin e tij.

Në reagimin e së martës Meta shkruan se kjo propagandë nuk ndihmon në hapjen e negociatave ndërsa përsërit dhe njëherë që zgjidhja e krizës vjen nga zgjedhjet e 13 tetorit, (të cilat deri tani nuk i njeh askush, përveç LSI).

“Propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj. Kriteret e Kopenhagenit nuk janë shfuqizuar ende nga BE, ndaj respektimi i tyre është i pashmangshëm nëse ka mbetur sadopak vullnet politik për çeljen e negociatave ne 18 tetor. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje!”, shkruan Meta.

Sipas presidentit zgjidhja për krizën në vend është data 13 tetor, e dekretuar prej tij për të zhvilluar 3 procese zgjedhore, për zgjedhjet vendore, zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje presidenciale. Një tjetër propozim ky i presidentit antikushtetues, njëlloj si dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për të cilin Kuvendi ka nisur procedurat për shkarkimin e tij. Kolegji Zgjedhor rrëzoi dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor por argumentet vlenin edhe për dekretin e datës 13 tetor, kjo për faktin se dekreti është marrë në kundërshtim me afatet ligjore të parashikuara në Kushtetutë. Ndërkohë që kuvendi ka ecur përpara për shkarkimin e presidentit, gjë e cila pritet të bëhet fakt i kryer në ditët e para të muajit tetor, presidenti vijon t’i qëndrojë propozimeve të tij antikushtetuese./realstory.al



Skip to toolbar