Partia Demokratike ka mbledhur të martën në mbrëmje koordinatorët për të organizuar punën për protestat e radhës, por që duket se llogaritë nuk i kanë dalë mirë, pavarësisht se pas zgjedhjeve të 30 qershorit deklaroi se ka me vete 85% të votuesve. Kjo vihet re, jo vetëm në mungesën e deklaratave për protesta, por edhe me faktin se shtatori hyri dhe opozita vazhdon të organizojë takime të vakëta, bën akuza nga podiumi i selisë blu, shpall armiq edhe mediat, por që pritet të kthjellohet ndoshta pas takimit të së enjtes me aleatët.
Kjo zbrazëti e opozitës vihet re edhe në aksionin e zbehtë të saj, e cila nisi në shkurt të këtij viti, pasi bëri një pushim pas zgjedhjeve të 30 qershorit, tha se do të rikthehej fuqishëm në shtator për rrëzimin e Ramës, por që tashmë, rrëzimin e kryeministrit, e ka shtyrë për në pranverën e vitit të ardhshëm. Të paktën kjo kuptohet nga deklarata e nënkryetarit të PD, Edi Paloka, i cili gjatë një interviste në News 24 ka deklaruar se jo vetëm që 13 tetori ka rënë, në fakt që besohet deri tani vetëm nga Meta dhe LSI, por që në pranverë do të zhvillohen zgjedhje bashkë me Ramën. Nuk dihet nëse me këtë PD ka pranuar që të zhvillojë zgjedhje me Ramën kryeministër, apo pretendon për dy palë zgjedhje në një datë, por që një fakt mbetet i rëndësishëm; deri në pranverën e 2020, opozita nuk është gati për zgjedhje. Megjithatë, ai shton se PD vijon protestat dhe do përdorë çdo lloj mjeti për të bindur shqiptarët se ky pushtet është një regjim që duhet të ikë.
“Ne do të vazhdojmë me protesta, sepse thashë protesta është mënyra e reagimit qytetar. Ne do të vazhdojmë e do përgatitemi edhe për hapa të tjera. Ne po përgatitemi, besoj se do shkojmë në zgjedhje. Për pak kohë do na duhet të shkojmë në zgjedhje. 13 tetori është i rënë. Deri në pranverë, do shkojmë në zgjedhje bashkë me Ramën”, është shprehur në deklaratën e tij Paloka.
Megjithatë, kjo duket më shumë si një strategji e re e PD për të mbajtur të karikuar të vetët deri në vitin 2021, kur janë zgjedhjet parlamentare dhe që populli do vendosë me votë se kujt do ia japë drejtimin e qeverisë. Ndoshta në pranverë, afatin e vet PD do e shtyjë sërish për në shtator, e pas pak muajsh nis edhe zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare, ndërsa vështirësitë për të mund të shtohen, për faktin se jo vetëm që ka nxjerrë dhe lënë veten jashtë të gjitha pushteteve, por që edhe aleati i vetëm në pushtet, duket se i ka ditët e numëruara, të paktën ashtu siç pretendon mazhoranca, pasi verdiktin përfundimtar do e japë Gjykata Kushtetuese. /Realstory.al