Një situatë kaotike ka ndodhur gjatë të hënës në kadastrën e Vlorës për shkak të shkarkimit të krerëve të këtij institucioni për shkelje ligjore, ndërkohë që njëri prej tyre ka refuzuar të lërë zyrën.
Nga detyra është shkarkuar drejtori i institucionit, Florian Alimadhi, i cili mori postin e kreut të kadastrës në maj të këtij viti. Është shkarkuar gjithashtu dhe nëndrejtori Klodian Troci, i cili ka refuzuar të lërë zyrën.
Në postin e kryetarit të ZRPP-së së Vlorës, është emëruar Alteo Nazëraj.
Ky i fundit ka punuar si specialist në hipotekë prej 10 vitesh, ndërsa me profesion është jurist.
Ndërsa në postin e nëndrejtorit është emëruar Krenar Xhemali.
Shkarkimet kanë ardhur si pasojë e mos zbatimit të një vendimi gjykate për një pronë.