Pas dëshmisë që Ilir Meta dhë përpara Komisionit Hetimor Parlamentar, që po heton shkeljet kushtetuese të Presidentit, ka reaguar avokati dhe analisti, Spartak Ngjela. Në një koment të shkurtër në rrjetet sociale, Ngjela shkruan se Meta dëshironte të digjej Parlamenti më 8 qershor. Sipas avokat Ngjelës, pasi kjo gjë nuk ndodhi, kreu i shtetit nxori dekretin e 10 qershorit për anulimin e datës së zgjedhjeve, me qëllim që t`iu jepte dhe një herë dorë hordhive të vijonin përplasjet për destabilizimin e Shqipërisë.
“Çfarë na tha sot presidenti ynë Meta? “Kisha të dhëna- tha ai – se do digjej Kuvendi në datën 8 qershor!” Po dekreti u zhdekretua në datën 10 qershor? Çdo të thotë kjo? Kjo tregon se ky farë Presidenti e ka pritur djegien e Kuvendit me ankth në datën 8 qershor, dhe meqë ai nuk u dogj dot, zhdekretoi zgjedhjet që t’iu jepte dhe një dorë hordhive të vijonin përplasjet për destabilizimin e Shqipërisë. Kjo është e vërteta. Por, a di Komisioni Hetimor këtë? Sigurisht që e di”, shkruan Ngjela.
Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta deklaroi të hënën përpara Komisionit Hetimor Parlamentar, se kishte pasur ‘informacion se në protestat e opozitës, njerëz të caktuar do të tentonin të digjnin Kuvendin’. Mirëpo ishte i menjëhershëm reagimi i Partisë Demokratike, që nëpërmjet Gazmend Bardhit hodhi poshtë akuzat e Metës, duke u shprehur se opozita nuk kishte pasur një plan të tillë.