“Luftë me flakët”, 324 zjarre shkrumbuan 1900 ha pyje në dy muaj

AKTUALITET


Në vetëm dy muaj, korrik dhe gusht, në vendin tonë janë shënuar 324 vatra zjarri që ka djegur një sipërfaqe prej 1900 hektarësh. Me anë të një informacioni të publikuar në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka sqaron se 99% e zjarreve të rënë gjatë verës, kanë qenë të qëllimshëm, ndërsa shton se për personat përgjegjës do të veprojë ligji.

“Pavarësisht punës së jashtëzakonshme të Emergjencave Civile, Forcave te Armatosura, zjarrfikësve dhe ndihmës së qytetarëve të shumtë që na u bashkuan si vullnetarë, korriku dhe gushti shënuan një numër të pazakontë zjarresh. 324 vatra zjarri në mbarë territorin e vendit, 1900 ha pyje, toka bujqësore, kullota, nga zjarre që në 99% të rasteve kanë ardhur jo nga temperaturat e larta, por nga zjarrvënia e qëllimshme! Vazhdojmë të jemi në krye të detyrës për të mbrojtur pronën publike e private, e mbi të gjitha jetën e qytetarëve. Ligji do të veprojë me ashpërsinë më të madhe ndaj autorëve të këtyre akteve që rrezikojnë të mirën tonë të përbashkët”, shkruan Xhaçka.


Dy muajtë e nxehtë të verës kanë qenë dramatik sa i përket situatës së zjarreve. Sipërfaqe të konsiderueshme me pyje por dhe pemë frutore u shkrumbuan në zona të ndryshme të vendit për shkak të zjarreve. Flakët nuk kanë pushuar as në ditët e para të muajit shtator, ku së fundi një sipërfaqe e konsiderueshme pyjore në Cakran të Fierit u shkrumbua nga flakët.




Skip to toolbar