Haradinaj anulon vizitën në Çeki

KOSOVA


Pas deklaratës së Presidentit të Çekisë për rishikimin e vendimit për njohjen e Kosovës, Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka anuluar pjesëmarrjen në takimin e kryeministrave të vendeve të Grupit të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohet të enjten në Pragë. Lajmi është dhënë nga zëdhënësja e qeverisë në largim, Donjeta Gashi, sipas së cilët shkak janë bërë angazhimet e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj duke qenë se vendi ndodhet në një periudhë para zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, sipas mediave në Çeki, anulimi i vizitave ka qenë pikërisht deklarata e presidentit Millosh Zeman në Beograd, i cili tha se do të rishikojë vendimin për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në Samitin e Vishegradit, përveç Çekisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë, marrin pjesë edhe kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, por shefi i qeverisë kosovare në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka anuluar vizitën në Pragë. Ndërkaq zëdhënësja e qeverisë çeke ka deklaruar se Kosova e ka anuluar pjesëmarrjen në samitin ku marrin pjesë udhëheqës të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Republikës së Çekisë, Millosh Zeman në konferencën për shtyp të mbajtur së bashku me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar se shteti i tij do të shqyrtojë tërheqjen e njohjes për pavarësinë e Republikës së Kosovës brenda një muaji.

Pak më herët bëri bujë pëshpëritja e Zeman “në veshin” e Vuçiç se atij “nuk i pëlqen Kosova”. Por në konferencë Zeman ka dalë hapur kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Presidenti Zeman ka rol ceremonial në Çeki. Madje ai e ka bërë të ditur se vendimin për tërheqjen ose jo të njohjes së Kosovës do ta marrin institucionet e tjera të shtetit, duke shtuar se nuk mund të imponojë qëndrimin e tij. Për deklaratën e presidentit Zeman kanë raportuar edhe mediat botërore përfshirë gazetën amerikane New York Times.



Skip to toolbar