Policia e Shtetit në kuadër të një operacioni
të madh policor ka arrestuar një tjetër person të shpallur në kërkim duke e çuar
në 58 numrin e të ndaluarve, ndërkohë që 7 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim,
si pjesë të grupeve kriminale.
Policia njofton se në pranga ka rënë, H. S.,
65 vjeç, banues në Korçë, i cili ka qenë në kërkim dhe akuzohet si pjesëtar i një prej katër grupeve të
strukturuara kriminale, të shkatërruara gjatë operacionit “LIMIT”.
Operacioni u finalizua pas një hetimi
3-vjeçar, për goditjen e veprimtarisë kriminale të këtyre grupeve që ushtronin
veprimtarinë në fushën e narkotikëve dhe të trafiqeve të paligjshme.
Operacioni është ndërmarrë nga Policia e
Shtetit në bashkëpunim me Policinë Greke dhe me koordinimin e SELEC-ut.
Gjatë operacionit në Shqipëri dhe Greqi u
sekuestruan rreth 320 kg kanabis, 7.5 kg Kanabis në formë çokollate, 2.4 kg Kokainë, laboratorë për kultivim të
bimëve narkotike, 3800 fara kanabis, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar
parcela me bimë narkotike të kultivuara.
“Gjatë periudhës së hetimit 2016 – 2019, është
shkëmbyer në kohë reale informacion me partnerët tanë nëpërmjet SELEC-ut për
aktivitetin kriminal të personave të përfshirë në këto grupe kriminale dhe si
rezultat, nga autoritetet policore greke janë arrestuar 34 persona, të cilët
ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes të narkotikëve”,
njofton policia.
Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë operacionit
“LIMIT” të zhvilluar në Shqipëri, u arrestuan 23 persona dhe 8 u
shpallën në kërkim, njëri prej të cilëve u kap mëngjesin e së premtes nga
Policia e Shtetit.
Operacioni vijon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim.