Hapen dosjet, zbardhen vrasjet e policëve

POLITIKË


Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka bërë një paralajmërim të fortë duke deklaruar se Reforma në Drejtësi do të hapë dosjet e vjetra. Lleshaj tha se për reformën në drejtësi nuk ka dosje të vjetra dhe çdo çështje do të kalojë në sitën e saj.

“Disa dosje nuk quhen asnjëherë të vjetra. Reforma në Drejtësi do të bëjë të mundur zbardhjen e ngjarjeve kriminale”, tha Lleshaj, deklaratë të cilën e bëri gjatë një vizite në familjen e ish-efektivit të policisë Kolë Ndreshaj, i vrarë në krye të detyrës në vitin 2010.  Lleshaj tha se kjo është një ngjarje delikate për t’u zbardhur, ndërsa shtoi se Reforma në Drejtësi do të bëjë të mundur zbardhjen e ngjarjeve të tilla kriminale. Lleshaj tha më tej se janë ende edhe shumë dosje të policëve të vrarë që ende nuk janë zbardhur, ndërsa shtoi se nuk janë harruar dhe se do të zbardhen.


Ky paralajmërim i ministrit të Brendshëm vjen pas sulmeve të vazhdueshme, jo vetëm të opozitës por edhe kreut të shtetit Ilir Meta, që kanë bërë ndaj Reformës në Drejtësi. Një reformë që është nën kujdesin special të SHBA-ve e ndërkombëtarëve dhe pritet të gjejë një zbatim sa më të thellë dhe të luftojë korrupsionin në të gjitha nivelet vendimmarrëse të institucioneve shqiptare. Po dosjet e vjetra apo të mëdha për drejtësinë shqiptare si vjedhja e parave në rrugën Durrës-Kukës, Gërdeci apo 21 Janarit, a do të hapet hetimi? Kjo mbetet për t’u parë, por Ministri Lleshaj e bëri të qartë se me Reformën në Drejtësi nuk do të ketë më dosje të mbyllura apo të fjetura në sirtarët e prokurorëve.  / Realstory




Skip to toolbar