Shkarkimi i Ilir Metës nga mazhoranca, ka shkaktuar debate të ashpra në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24. Pyetjes së drejtpërdrejt të drejtuesit të emisionit, se nëse “Meta do të shkarkohet”, analistët Vasjari dhe Zaloshnja, kanë shprehur mendimin se mazhoranca do ti shkojë deri në fund këtij akti. Ndërkohë, Arian Vasjari ka dhënë dhe argumentat ku Meta, sipas tij, ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për këtë duhet shkarkuar. “Kam përshtypjen se është orientuar nga çështje më pak problematike. Për këto unë nuk do ta shkarkoja presidentin. Kujt i referohem? I referohem dekretit për zgjedhje. Këto janë gjithsesi shkelje. Dua të them jo shfuqizim i dekretit. Fakti që Presidenti ka anashkaluar, konsultimin me partitë politike, është një shkelje. Po mendoj se Presidenti për këtë shkak nuk mund të shkarkohet sepse ka argumenta”, tha Vasjari.
Ndërkohë, sipas Vasjarit, dy janë shkeljet e rënda të Kushtetutës nga Ilir Meta. Shkelja e nenit 86, që tregon se “kryetari i shtetit përfaqëson unitetin e popullit” dhe “ka hyrë në konflikt me parimin e neutralitetit”. Sipas Arian Vasjarit, këto dy pika, janë arsye të forta pse Ilir Meta nuk duhet të jetë më President. “Çështja e shfuqizimit dhe dekretimit duke anashkaluar partitë politike, për mua nuk është shkelje e rëndë. Ajo çfarë është shkelje e rëndë e Presidentit të Republikës, neni 86 është neni i cili; kryetari i shtetit 1; përfaqëson unitetin e popullit; 2 ka hyrë në konflikt me parimin e neutralitetit. Kjo është shumë e rëndë. Është fakti që zoti Meta ka rrëzuar nenin 86 të Kushtetutës dhe ka rrëzuar parimin e neutralitetit të vendit”, tha Vasjari.
Ndërkohë, analisti Eduard Zaloshnja u shpreh se Gjykata Kushtetuese do të jetë ajo që do të thotë fjalën e fundit. Megjithatë, sipas tij, shkarkimi i presidentit, para se të bëhen ndryshimet kushtetuese, do të krijojë probleme të mëdha elektorale në vend. “Unë kam dëgjuar të dyja palët, por në fund të fundit arbitri përfundimtar është Gjykata Kushtetutese. Edhe Palmer këtë tha; 30 qershori duhet të bëhet, por duhet të krijohet Gjykata Kushtetuese. Politikisht unë them se do shkarkohet. PS e ka ndarë mendjen për ta shkarkuar. Politikisht shoh një problem të madh për zgjedhjet e ardhshme. Krijohet një tension i madh, nga pikëpamja elektorale do krijojë probleme. Unë nuk jap dot opinion, unë si ekspert elektoral mund të them se kjo do të krijojë një problem të madh, nëse nuk ndryshohet Kushtetuta”.
Ndërkohë, analistia Arian Vasjari u shpreh se fakti që Ilir Metën e kanë shmangur ndërkombëtarët deri më tani, krijon përshtypjen që ndaj Presidentit ka dhe një konspiracion ndërkombëtar. “Në rrethanat që janë regjistruar deri më tani, me shmangjen e takimit me disa ndërkombëtar, kam përshtypjen që ndaj Ilir Metës ka një konspiracion edhe ndërkombëtar”, ka thënë Vasjari.
Ish-nënkryetari i Grupit Parlametar të LSI, Përparim Spahiu, i ftuar në emision, deklaroi se ai personalisht, do të ishte gati të shkonte në zgjedhje të dielën e ardhshme me Edi Ramën. Por, Spahiu u shpreh se ky vendim i takon shumicën për t`u marrë. “Ky është një diskutim që do mblidhemi ne si LSI. Mendim personal i imi, unë shkojë në zgjedhje me Ramën të dielën që vjen. Ne u regjistruam për 13 tetorin, por në 30 qershor ishte shumica që vendosi. Edhe tani do jetë shumica që do vendosë”.
Përparim Spahiu edhe pse e cilësoi presidentin Meta si pjesë të krizës, shtoi se fal tij u arrit të shmangej lufta në vend. I ftuar në emisionin Real Story të gazetarit Sokola Balla në News 24, Spahiu tha se është fat për vendin që ka një president të tillë pasi është një nga politikanët më të mirë dhe me vendimin e tij për shfuqëzimin e 30 qershorit ai arriti të parandalonte luftën. Për Spahiun, ky ishte një vendim i duhur i marrë nga Meta duke thënë se ai ka kërkuar vetëm të mbrojë përfaqësimin e gjerë politik në zgjedhje.
“Në gjithë këtë situatë dhe zallahi ku presidenti është epiqendra e diskutimit, them se Meta ishte në të drejtën e tij dhe ka bërë zgjedhjen e duhur. Është gjëja më e mirë që një politikan si Meta është President. Nuk mund të them se Meta është përfaqësues i ekstremit të majtë, por roli i tij është të sigurojë përfaqësimin politik dhe këtë bëri me dekretin e tij për shfuqizimin e 30 qershorit. Meta është presidenti më i mirë që kemi pasur. Më vjen shumë mirë që Komisioni i Venecias është ftuar nga qeveria për të dhënë mendimin e tij për rastin e Presidenti Meta, në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Do shohim konkluzionet e Venecias, që të gjithë besojmë se është institucion i besueshëm. Ilir Meta është pjesë e krizës, por me pjesa më e mirë është se po mundohet të tregojë zgjidhjen për të. Meta me dekretin e tij u munduar të parandalojë për të pasur një 30 qershor që denigroi Ramën personalisht. Meta ka meritën kryesore që nuk pati luftë.” tha Spahiu
Gjatë debatit politik në emisionin Real Story, Spahiu pati replika edhe me analistin Arian Vasjari, i cili tha se nuk mund ta quaj dot presidentin Meta si një përfaqësues të unitet të popullit shqiptar dhe për të ai është faktor i krizës politike. “Ajo çfarë po ndodh me Presidentin, është një anomali substanciale , pasi presidenti është pjesë e krizës, nuk ka rëndësi ka të drejte apo jo. Fakti është ky që për aq kohë Meta është si pjesë apo faktor i krizës ka diçka që nuk shkon. Pyetja është: A është Presidenti i Republikës, sot simbol i unitetit? Presidenti mund të këtë gjithë të drejtën mbi veprimet e tij, por për unitetin kombëtar nuk shprehet dot Gjykata Kushtetuese.” tha Vasjari.
Analisti Arian Vasjari ëshë shprehur në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se Ilir Meta nuk përfaqëson më unitetin kombëtar. “Neni 86, thotë: Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Sot, a është Zoti Meta uniteti i popullit. Nuk përfaqëson unitetin e popullit. Koncepti unitet i popullit është një koncept që bazohet te perceptimi që shoqëria ka te Presidenti i Republikës. Rama përfaqëson gjysmën e popullit shqiptar. Presidenti i Republikës sot nuk është neutral. Kemi një krizë dhe duhet ta zgjidhim, ky është problemi”, tha Vasjari.
Sipas tij, Presidenti duhet të ishte faktor për të zgjidhur krizën, por ai u bë pjesë e krizës. Në deklaratat e Ilir Metës, sipas Arian Vasjarit, narrativa nuk është ajo e një presidenti republike, por e një pale politike. “Presidenti duhet të ishte faktor për të zgjidhur krizën, por ai është pjesë e krizës. Ne nuk po debatojmë sot se Ilir Meta nuk ka pasur një shumicë për tu bërë president. Nuk kemi narrativën e një presidenti republike. Kemi narrativën e një pale politike. Së pari presidenti është aty si investim politik”, tha Vasjari.
Megjithatë, analisti Arion Sulo, ka kundërshtuar duke u shprehur se përplasja mes Presidentit dhe Kryeministrit ndodh edhe në vende të zhvilluara. “Ka përplasje kryeministri – presidenti ka gjithandej. S’ëshët gjë e mirë të jesh mbi palët dhe të përfaqësosh interesat e popullit. Tjetër është edhe Venecia, e kthen në simbol të unitetit të popullit sikundër e rrëzon”, tha Sulo.
Analisti Eduard Zaloshnja, në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24, deklaroi se Alfred Moisiu ka qenë i vetmi president që ka ulur palët për zgjidhjen e krizës në vend. Sipas tij, Moisiu e bëri këtë gjë, pasi ishte i vetmi president që u votua në parlament me konsensusin më të madh nga partitë politike. “Moisiu është i vetmi president shqiptar që është zgjedhur me shumicë dërrmuese në parlament. Ai është i vetmi që ka mbledhur palët të ulen dhe të bien dakord për shtyrjen e zgjedhjeve. Gjithë krizat e tjera janë zgjidhur me një amerikan, me Palmer, etj etj”, tha Zaloshnja.
Sipas tij, Meta ka vënë një bast për opinionin e Komisionit të Venecias se “nëse ata thonë që ka shkelur Kushtetutën, do të jap dorëheqjen”. Zaloshnja shprehet se probabiliteti që Venecia të thotë se “Meta ka shkelur Kushtetutën është zero”. “Meta vuri bast dhe tha; Nëse unë kam shkelur kushtetutën, do jap dorëheqjen. Kjo bazohet në një probabilitet. Të gjithë opinionet e Komisionit të Venecias, kanë qenë diku midis ‘Po’ dhe ‘Jo’. Si president, Meta mund të thotë nesër që ky argument është pro meje ky kundër meje. Propabilitetit është zero, që Venecia të thotë që Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën”, është shprehur Zaloshnja. /Realstory.al/