PD e Shkodrës dhe kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, i kanë harruar protestat dhe përplasjet për mosnjohjen e Këshillit të ri Bashkiak në Shkodër, i cili mbledhjen e tij të parë e ka zhvilluar pikërisht brenda Bashkisë në sallën e posaçme në formën me paqësore dhe pa asnjë incident minimal.
Në përfundim të mbledhjes kryetarja e Këshillit bashkiak Brisela Kadia ka komentuar situatën e pazakontë në të cilën ndodhet Shkodra, me një kryetare të cilës i ka mbaruar mandati por që akoma nuk po i jepet një zgjidhje konkrete se si do procedohet me këtë qytet, që jetën politike po e vijon për inerci dhe në mjegullnajë të plotë.
”Shkodra ka një kryetare në detyrë që është Voltana Ademi deri kur institucionet të cilët janë vënë në dijeni nga prefekti, siç janë KQZ dhe Presidenti të kenë një vendimmarrje. Ndërsa tashmë kemi një Këshill të formësuar, i cili ngriti komisionet dhe mori vendime siç është miratimi i ndihmës ekonomike”, tha Kadia.
Sa i takon dakordësisë dhe bashkëpunimit, për vendimmarrjet e rëndësishme me kryebashkiaken Ademi, e cila e ka deklaruar se nuk e njeh këshillin e bashkisë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Kadia tha se fakti qe brenda këshillit u zhvillua mbledhja njëlloj si në këshillin pararendës është sinjal pozitiv.
Ajo ka preferuar të mos paragjykojë mungesën e Ademit në mbledhjen e parë duke thënë se mbledhja më së shumti lidhej me ngritjen e strukturës së këshillit dhe jo me vendimmarrje të rëndësishme për politikat lokale.
Nga ana tjetër, Fatlum Nurja ish-këshilltar bashkiak dhe ekspert i qeverisjes vendore ka preferuar të ndjekë nga afër këtë mbledhje të parë, ndërsa në përfundim ka deklaruar se politika qendrore nuk po hap dritë jeshile për Shkodrën duke e lënë në plan të dytë situatën e paprecedentë të krijuar pikërisht këtu. “Është format absurd i këshillit por jo për faj të këtyre këshilltarëve, e megjithatë duhet të funksionojë administrimi i qytetit ndonëse ne jemi kampionet e absurditetit,” tha Nurja. “Deklaratat e Voltana Ademit për mosnjohje të këshillit janë politike dhe emocionale, por ka komunikim mes palëve”, nënvizoi ai.