Një ditë pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin, ku mbetën të lënduar qindra njerëz e u dëmtuan po ashtu qindra banesa e pallate, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur se do të nxjerrë nga arkivat të gjitha dosjet e pallateve të ndërtuara kryesisht gjatë viteve 1990. Sipas Veliajt, kryesisht në pallatet e ku ka pasur shtesa katesh apo zgjerime të ambienteve, ka pasur më shumë dëmtime nga tërmeti.
“Ne do të fillojmë një tjetër operacion në Bashkinë e Tiranës. Do të nxjerrim të gjitha arkivat e pallateve kryesisht të viteve ‘90. Janë ndërtime që kanë ndodhur në vitet e tranzicionit. Nuk kemi pasur probleme me ndërtime solide dhe të kontrolluara, por me ndërtime ku është shtuar edhe ndonjë kat, po është zgjeruar një çikë edhe hapësira”. Sipas kryebashkiakut, nxjerrja e dosjeve për këto ndërtime nga arkivat, do të ndihmojë shumë punën e inspektorëve të Institutit të Ndërtimit për këto ndërtime që kanë pasur probleme. Për këtë, Veliaj kërkoi edhe ndihmën e arkitektëve apo inxhinierëve që kanë ndërtuar këto pallate e që jetojnë ende në Tiranë.
“Nuk po i hyj asaj si bëheshin pallatet në vitet ‘90 dhe me çfarë kontrolli, por ajo që do të bëjmë është që do nxjerrim gjithë fashikujt. Qytete të tjera të ngjashme me ne janë rrafshuar në tërmete të kësaj natyre, por fatmirësisht Tirana kësaj i mbijetoi. Por duke nxjerrë fashikujt, do t’ia bëjmë më të lehtë punën çdo inspektori që do të vijë nga Instituti i Ndërtimit. Aty ku ndërtuesi, konstruktori, arkitekti inxhinieri është gjallë, është në Tiranë, mund të japin një dorë për të proceduar më shpejt gjithë inspektimet”, theksoi Veliaj. Këto deklarata kryebashkiaku i Tiranës i bëri teksa dhuroi ndihma ushqimore në pikën e ngritur në sheshin “Skënderbej”, të cilat më pas do të shpërndahen për familjet e prekura nga tërmeti.