Nis puna për ndërtimin e lagjes së re në Vaqarr

AKTUALITET


Në Vaqarr nisi puna e ndërtimit të banesave për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit. Në këtë zonë do të ndërtohet një lagje e re, në të cilën do të strehohen familjet që mbetën pa shtëpi nga tërmeti. Banesat e reja do të ndërtohen në ish-Poligonin e vjetër të Forcave të Armatosura, ku veç banesave do të ketë gjithë infrastrukturën e nevojshme. Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj inspektoi nisjen e punimeve për lirimin e hapësirës ku do të vendosen shtëpitë e reja, prej nga siguroi se lagjja e re do të jetë model edhe sa i përket shërbimeve për qytetarët.

“Dua të falenderoj kryeministrin dhe Ministren e Mbrojtjes që na vunë në dispozicion një repart të vjetër ushtarak, në zemër të Vaqarrit, pranë rrugës nacionale, vetëm një stacion autobusi larg nga Kombinati. Do të thotë se nuk po flasim për një fshat të humbur, por për një stacion të Tiranës moderne. Duam që e gjithë zona, ku më parë ka qenë ish-Poligoni i vjetër i Ushtrisë, të kthehet në qendrën e Vaqarrit. Është shumë pranë ish-Komunës, është ngjitur me shkollën e mesme dhe 9-vjeçare, m’u përballë kopshtit, ku do të jetë lagjja e re me 45-50 shtëpi që kryeministri tashmë është në procesin e porositjes dhe që do të jetë modeli i parë i ndërtimit pas tërmetit”, deklaroi ai.


Veliaj tha se Vaqarri do të jetë projekti i parë ku e gjithë qendra e kësaj zone do të transformohet. “Vaqarri do të jetë projekti i parë, ku e gjithë qendra e fshatit do të transformohet me terrene sportive, hapësira rekreative, tregtare, sidomos për agro-ushqimoren për të gjitha produktet që ka zona e shkëlqyer e gjithë luginës së Erzenit. Vetëm kur banesat janë të atashuara me aktivitet ekonomik, realisht bëjnë diferencën në këtë zonë. Sot kemi vetëm lirimin e territorit dhe pastaj do të rikthehemi sërish me kryeministrin, ku do të vendosim shtëpitë e para”,  deklaroi kryebashkiaku.

Ai shtoi se Vaqari do të jetë një lagje e re e Tiranës, ku do të ofrohet edhe shërbimi i transportit publik urban. “Mund të vazhdojnë ta kenë atë pronë, mund t’i rrinë mbrapa bujqësisë, por nuk kanë pse të torturojnë fëmijët. Tërmeti ishte një fatkeqësi, por edhe një mundësi për të shkëputur zinxhirin e varfërisë që i ndjek disa familje brez pas brezi në zonat periferike të Tiranës. Ajo që kemi vendosur është që linja e Kombinatit të shtojë një stacion, pra nuk do të përfundojë në Kombinat, por në çdo orë një prej autobusëve do të vijë deri në Vaqarr, në mënyrë që Vaqarri të përfshihet realisht si një lagje e Tiranës, e të mos quhet më fshat i dorës së dytë”, u shpreh Veliaj, teksa shtoi se kjo lagje e re do të kthehet në një etalon që mund të aplikohet edhe në Thumanë, Durrës, Shijak, Kavajë, Lezhë, e kudo tjetër ka nevoja.




Skip to toolbar