Tërmeti fake, “Të nisin hetimet”

AKTUALITET


Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, “kërkoi nga Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vlerësimin e menjëhershëm ligjor në lidhje me dyshimet për përhapjen në publik të informacioneve të rreme që ngjallin panik dhe pasiguri tek qytetarët”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ky reagim, i numrit një të organit të akuzës, vjen një ditë pasi në media u shpërndanë informacione të rreme se të dielën në “orën 23:30, sipas parashikimeve të një sizmiologu grek, Shqipëria do të goditej nga një tërmet i madh”. Ky lajm ngjalli panik te qytetarët e Tiranës, të cilët braktisën shtëpitë e tyre, duke dalë në mesin e natës në rrugë e sheshe.

Lajmi rezultoi “fake news”, ndërsa organet shtetërore e përgënjeshtruan dhe paralajmëruan se “personat dhe mediat përgjegjëse do të mbajnë përgjegjësi ligjore” për përhapjen e informacionit të rremë. Lajmi u shpërnda nga disa portale në Tiranë, “Syri.net”, gazeta “Shekulli online” dhe portali “360 gradë”.

Policia shoqëroi në komisariat dy gazetarë për sqarimin e publikimit të lajmit të rremë. Ndërkohë, portali “Syri.net”, kërkoi falje mëngjesin e të hënës për publikimin e lajmit, por u shpreh se i referohej një lajmi të publikuar më herët në Top Channel. Megjithatë, ky televizion hodhi poshtë deklaratën e “Syri.net”, duke u shprehur se “nuk e kemi thënë një gjë të tillë”.



Skip to toolbar