Majlinda Bregu, sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, tha se vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë është i mirëpritur, por i vonuar, ndërsa shtoi se zgjidhja e krizës politike është sinjali që BE pret për të parë se Shqipëria po ecën me kushtet që i janë vendosur. Për Bregun, dhënia e dritës jeshile duhej bërë me kohë për Shqipërinë, pasi ka punuar fort me kërkesat që i janë kërkuar. Ajo shtoi se hapja e negociatave do të ushtrojë edhe një presion mbi qeveritë shqiptare që të punojnë sa më shumë për të dhënë prova konkrete në lidhje me kapitujt e hapur për integrimin e vendit.
“Mendoj se ka kaluar koha kur ne mund të pyesim nëse janë gati Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në. Negociatat e anëtarësimit, vazhdoj ta them këtë me bindje kudo, duhet të ishin hapur kohë më parë. Edhe për një arsye fare të thjeshtë sepse kontrolli dhe monitorimi i reformave të marra përsipër nga një qeveri është më i lartë në momentin kur çelen negociatat e anëtarësimit. Ka më shumë vëmendje, ka më shumë ritëm të punës në zbatimin e detyrimeve dhe të qasjes me modelin evropian nga administrata publike. Nuk ka stanjacion, ka më pak vend për retorikë dhe fjalë politike sepse në fund të ditës do duhet që të dëshmosh për të hapur një kapitull dhe deri në momentin që ta mbyllësh duhet të dëshmosh rezultate konkrete.” tha Bregu gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ndërsa shtoi se çelja e negociatave nuk do të thotë se do të bëhesh vend anëtar i BE, por të punosh që të bëhesh i tillë. Bregu tha se kur gjërat nuk shkojnë siç duhet, vendet anëtarë të BE kanë të drejt ta bllokojnë këtë proces negociatash.
Në lidhje me krizën politike, Majlinda Bregu bëri një thirrje të fortë për të gjitha partitë që të krijojnë ura bashkëpunimi në të mirën e vendit dhe hapjen e negociatave, në të kundërt do të tregojnë se axhendat e tyre politike janë më të rëndësishme se ato kombëtare.
“Shqipëria me të vërtetë ka një situatë e cila është shqetësuese dhe ka krijuar një lloj nervozizmi e shqetësimi tek të gjithë miqtë dhe partnerët e Shqipërisë. Por shpresoj shumë që çelja e negociata dhe kushtet për çeljen e negociatave të jenë një kambanë tjetër e fuqishme, për t’i sjellë forcat politike në të njëjtat ura të bashkëpunimit, që mbase është diçka që duket si fjalë e madhe në Shqipëri sa herë që kemi kriza politike, por rrugë tjetër nuk mund të ketë. Vetëm në rast se axhendat politike do të jenë ato që prevalojnë mbi axhendën kombëtare.” – tha Bregu, e cila bëri edhe një vlerësim të Reformës në Drejtësi dhe punës së saj deri në këto moment. Bregu deklaroi se nuk do të ishte reale të pritej që në një periudhë 2-vjeçare të rritet besimi i qytetarëve tek drejtësia, “por Shqipëria është në rrugën e duhur, dhe reforma në drejtësi është e vetja rrugë për ta bërë këtë”.