Pamjet e atentatit, si qëlloi me armë në lokal Santiago Malko

AKTUALITET


Ish polici Santiago Malko u vra në një atentat më 27 gusht të këtij viti në rrugën “Xhanfize Keko” ku ndaj makinës së tij u qëllua me breshëri armësh. Policia ka nisur të zbardhë ngjarjen dhe për këtë oficerët e krimeve kanë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së lokaleve. Një nga kamerat e sigurisë ka filmuar ngjarjen e një viti më parë, pikërisht më 28 qershor të vitit 2018.

Në videon e siguruar nga News 24 duket Santjago Malko, në momentin kur qëllon ndaj vëllezërve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi si dhe Ibrahim Durollari. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 27 qershor 2018 në një lokal bastesh në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë. Pamjet që transmetohen për herë të parë në News24 janë xhiruar nga kamera te sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja.

Sikurse dallohet qartë në video në lokal me armë në dorë shfaqet ish-oficeri i Patrullës së Përgjithshme, Santjago Malko, i cili u ekzekutua me 27 gusht të këtij viti në rrugën “Xhanfize Keko”.

Ai qëllon ndaj dy vëllezërve dhe mikut të tyre. Për faktin se Mumajesët ishin të paarmatosur, siç dallohet në video, ata kapin karriget dhe i hedhin në drejtim të atentatorëve, në përpjekje për t’iu shpëtuar plumbave.

Pavarësisht se policia e ka pasur në duar këtë video dhe burimet thonë se mundi të identifikonte atentatorët dhe ata ishin Malko e miku i tij me inicialet R.M. mbetet e paqartë, përse nuk ndërhyri për t’i arrestuar.

Malko u përfol më vonë edhe për përfshirje në ngjarjen e 4 tetorit në ish-bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagos Elio Esmerald Hato e biznesmeni Ervis Martinaj.

Në këtë ngjarje, ai rezultoi të mos ishte i implikuar, por në pikëpyetje mbetet se përse policia e la të lëvizte i lirë pas atentatit në lokalin e basteve. Nëse autoritetet do të kishin reaguar në kohë duke e vënë në pranga Malkon, do të ishte parandaluar dhe krimi i rëndë që ndodhi gushtin e këtij viti, ku ish- oficeri i Patrullës u qëllua për vdekje nga dhjetëra plumba.



Skip to toolbar