3 të vdekur për një gardh, motra rrëfen masakrën në Klos

AKTUALITET


Sherri mes vëllezërve për një gardh mori 3 jetë njerëzish gjatë të martës, ndërsa të tjera detaje dalin në dritë. Motra e dy vëllezërve Dakuci që mbetën të vrarë me armë zjarri në fshatin Xibër të Klosit ka rrëfyer ngjarjen tragjike.

Motra e dy vëllezërve të vrarë, Lifja tregon se kishte udhëtuar nga Manza e Durrësit, ku ishte martuar, drejt Klosit, për të vizituar babanë e sëmurë, 85 vjeç. Mes lotësh Lifja, në kushte të tronditjes së thellë psikologjike, tregon për Balkanweb se e gjithë maskara kishte ndodhur për afro 20 minuta, ku 3 njerëz nga familja e saj mbetën të vrarë për ca drurë gardhi. Ajo pohoi se kishte dëgjuar dy vëllezërit e saj teksa debatonin me njëri-tjetrin dhe pasi kishte ndërhyrë u kishte thënë; “Mos u zini për gardhin, ejani se keni babain sëmurë”. Lifja mes të tjerash ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë, ku si fillim i vrarë mbeti Kujtimi, pastaj nipi i saj, Flogerti dhe më pas Saliu vrau veten (autori i krimit).


“Erdha për vizitë në Xibër se kemi babain sëmurë. I dëgjova të dy vëllezërit duke u zënë dhe dola jashtë e u thash; Mos u zini për gardhin, por eja shihni babain se është sëmurë. Duke u ngjitur nëpër shkallë (banesa e vjetër dy-katëshe), pasi ecja me ngadalë se kam sëmurë këmbën, dëgjova një krismë arme. Pash nga sipër Kujtimin të shtrirë përtokë. Më pas djali i Kujtimit, nipi im, iu sul Saliut duke thënë; “ça bërë?”. Dhe më pas dëgjova krismën tjetër…e pash nipin që u shtri përtokë. Më pas Saliu u largua nga banesa dhe u fut në një parcelë më misër dhe më pas kur pas 20 minutash dëgjova një tjetër krismë brenda tek banesa e tij (një kuzhinë e vjetër). Kur shkuam aty bashkë me gruan e Saliut, e pamë atë përtokë të mbuluar në gjak dhe pa shenja jete. Kishte qëlluar veten me plumb në kokë”, rrëfen mes lotësh motra e dy viktimave.

Gjatë të martës tragjedia në Klos tronditi mbarë opinionin publik. Sali Dakuci vrau të vëllanë dhe nipin për një gardh dhe më pas qëlloi dhe veten me armë.




Skip to toolbar