Basha: Nuk ka opozitë të re. Rama të hapë krahun

AKTUALITET


Ndërsa Rama tha qartë dhe prerë në Kuvend se nuk pranon ultimatume dhe kushte nga Basha dhe se reformën zgjedhore e miraton me opozitën parlamentare, ka reaguar menjëherë kreu i PD-së, Basha. Në një konferencë për mediat, Basha tha se Rama është i detyruar të bashkëpunojën me PD-në pasi është kusht i vendosur nga Bundestagu gjerman, i cili thotë se “reforma zgjedhore duhet të realizohet përmes një dialogu gjithëpërfshirës”. Nga ana tjetër Basha vijon të mos e njohë opozitën e re të drejtuar nga Rudina Hajdari dhe për më tepër sulmon mediat duke thënë se ky term përdoret nga mediat e kapura nga Rama.

“Nuk ka opozitë të re. Termi i opozitës së re është term i medias së kapur nga qeveria. Ka vetëm një opozitë që është PD dhe aleatët e saj”, është shprehur Basha.

Ai gjithashtu kujtoi dhe njëherë planin e propozuar nga opozita dhe i bëri apel Ramës ta zbatojë të gjithin me 5 pika, ose ndryshe “të hapë krahun”.

“Ne kemi hedhur një hap të pazakontë. Nuk i takonte opozitës të jepte zgjidhje për krizën por ne e ndërmorëm si nismë, hartuan një plan anti krizë. Plani ynë zgjidh krizën. Rama e ka mbi tavolinë. Plani bazohet në 9 kushtet e Bundestagut dhe në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Ai duhet thjeshtë ta marrë dhe ta zbatojë, ndryshe të hapë krahun s’e e zbatojmë ne”, tha Basha.

Plani i PD dhe i opozitës së bashkuar për Ramën përmban 5 kushte dhe më kryesori është që reforma zgjedhore të realizohet nga një strukturë jashtë parlamentare me përbërjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, por ku përjashtohet pjesëmarrja e opozitës parlamentare, të cilën Basha vijon të mos e njohë. Rama është shprehur se nuk e pranon një propozim të tillë, ndërsa shumë herë ka bërë thirrje për bashkëpunim brenda institucioneve dhe në zbatim të rekomandimeve të OSBE.

Kreu i PD-së foli për negociatat me BE dhe akuzoi Ramën si përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.

“Dështimi me negociatat për herë të katërt ka vulën e Edi Ramës. Nga kjo foltore në praninë tuaj ju kam thënë ju dhe përmes jush, shqiptarëve që me mënyrën se si Edi Rama po mbyll dhe rrezikon rrugën shqiptare të integrimit europian, shpejt do të vijë dita kur të tregojë me gisht fajtorët. Dhe fajtorë do të jetë çdokush, do të jetë opozita, do të jeni ju mediat, do të jetë Europa, do të jenë partitë politike europiane, i vetmi person që nuk do të ketë asnjë përgjegjësi për këtë faj, do të jetë vetvetja. Dhe për fat te keq është bërë kaq i parashikueshëm, saqë fjalimin që ja parashikova para dy muajsh, sapo e mbajti në pseudoparlament. E vërteta është se përgjegjësinë për dështimin për herë të katërt për hapjen e negociatave e ka Edi Rama dhe askush tjetër. Është dështimi i tij personal. Nuk është dështimi i Shqiperisë, nuk është dështim i shqiptarëve. Është dështim i Edi Ramës. Ky njeri në pushtet prej 6 vitesh, vitin e fundit me dekret edhe ministër i Jashtëm dhe ky dështim ka vetëm vulën e tij përsipër. Premtoi se do të hapte negociatat dhe siç duket qartë dështoi siç ka dështuar në çdo premtim tjetër. Ky nuk është dështimi i parë, as i dytë, as i tretë, por është dështimi më i fundit, më i freskët në kaosin dhe në krizën ku e ka futur vendin në qeverisjen e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin”, tha Basha./realstory.al



Skip to toolbar