Helmohen 50 nxënës në “Fast Food”, 6 sërish në urgjencë

AKTUALITET


Numri i nxënësve të shkollës “Adem Haxhia” në Postribë që janë paraqitur në spital me shenja intoksikimi ka shkuar në 50 veta dhe dyshimet janë për helmim masiv, ndërkohë që 6 prej nxënësve janë rikthyer në urgjencë dhe sipas rrëfimit të prindërve, gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar me dhimbje barku dhe të vjella. Prindërit hedhin akuza se fëmijët e tyre janë helmuar për shkak të ushqimit që kanë konsumuar gjatë pushimit të madh në një Fast-Food që ndodhet përpara shkollës.

Ndërsa Drejtoria i Shëndetit Publik ka dyshime se mund të ketë ndodhur edhe nga uji. Por prindërit janë përplasur në një debat me përfaqësuesen e ISHP-së në Shkodër jashtë ambienteve të shkollës, ndërsa ajo deklaronte për mediat se janë marrë mostra uji për të parë më tej rezultatet. Një prind tha se asnjëherë më parë nuk ka pasur probleme me ujin në zonën e Postribës, dhe sa herë që janë bërë analizat, ka rezultuar i pastër.

“Kemi kontaktuar me drejtorinë e ujësjellësit dhe drejtoreshën e shkollës që në mënyrë absolute tani për tani uji të mos konsumohet deri në daljen e analizave. Sot janë marrë kampione të analizave fiziko-kimike bakteriologjike si nga drejtoria jonë ashtu edhe nga Inspektorati Shtetëror i Shkodrës. Presim analizat, vazhdojmë hetimin, komunikojmë edhe me ISHP-në në Tiranë deri në një konkluzion”, tha përfaqësuesja e ISHP.

Për ngjarjen, policia njofton se janë shoqëruar pronarët e fast food-it për deklarime, si dhe po bëhen verifikimet nga Drejtoria AKU, ndërsa deri në përfundim të veprimeve, Fast-Foodi është mbyllur.



Skip to toolbar