Baze: Meta e trajton Venecian si “shkelës të Kushtetutës” dhe “të çmendur”

OPINION


Mero Baze

Letra që zyra e presidentit Ilir Meta i ka dërguar Komisionit të Venecias, në formën e një komenti rreth opinionit të Komisionit, tregon qartë dy gjëra.


E para, që presidenti e konsideron veten të shkarkuar nga opinioni i “Venecias”, dhe e dyta, që është edhe më e rëndë, që ai i jep vetes të drejtën e gjykimit të Komisionit të Venecias, si palë me kundërshtarët e tij politik.

Në gjithë letrën e Ilir Metës, nga pika e parë deri në fund, pozicioni që ai merr ndaj opinionit të “Venecias”, është kritik dhe e trajton atë si një akuzë ndaj tij.

Në shumë prej pikave të letrës, Ilir Meta përpiqet t’i mbushë mendjen Komisionit të Vencias se është kontradiktor, i paqartë dhe i pathelluar, në të tjera përpiqet t’i thotë që është i keqpërdorur, por në çdo pikë ai duket se është i pakënaqur me atë që ka ndodhur.

Këtu në të vërtetë nuk është se ka faj. Opinioni i “Venecias” është qartazi kundër asaj që ai ka bërë si President, dhe tanimë është në dorë të Komisionit parlamentar dhe Gjykatës Kushtetuese, por ai mund ta kishte kursyer një nga dy fushatat që ka ndërmarrë kohët e fundit.

Ose duhet të mos na lodhte gjithë javën me argumente boshe, se Komisioni i Venecias është pro tij, ose duhet të na kursente këtë letrën, që duket sikur i thotë Komisionit të Venecias që ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë.

Të dyja bashkë nuk rrinë, edhe titujt e gazetave të tij, dhe edhe kjo letra.

Perceptimi që ai ka se Komisioni i Venecias e ka shkarkuar nga detyra, është më afër të vërtetës, se sa titujt me të cilët ai u përpoq të auto-sugjestionohej, por problemi është se ai nuk e ka në dorë Komisionin e Venecias, dhe nuk mund ta gjykojë atë, siç po tenton të bëjë.

Komisioni i Venecias nuk është palë në krizën shqiptare, por është thjesht një ekspertizë e kualifikuar e leximit të Kushtetutës sonë.

Përpjekja për ta gjykuar Komisionin e Venecias, tregon mentalitetin që ka dominuar tek presidenti për të rishkruar Kushtetutën, siç ka pasur ai dëshirë.

Vetëm një njeri që mendon se Kushtetuta i jep të drejtë çdo veprimi të të “parit të vendit”, mund të ketë kurajën që ta gjykojë Komisionin e Venecias dhe ta trajtojë atë si kundërshtar politik. Janë të njëjtat motive që e çuan tek çmenduria e 30 qershorit.

Dhe kjo kuptohet më mirë kur e dëgjon të thotë se Komisioni i Venecias ka shkelur Kushtetutën, ose  “Venecia është çmendur”.

Është tipike për çdo shkelës Kushtetute që është çmendur.




Skip to toolbar