Ish ambasadori shqiptar në Maqedoni, Arben Çejku, një njohës i mirë i rajonit i ka cilësuar zgjedhjet në Kosovë një “Real Story”, por sipas tij tashmë lind dilema nëse do të jenë një real change” (ndryshim i vërtetë). Me këtë deklaratë, Çejku ka komentuar përballë gazetarit Sokol balla në Real Story situatën pas zgjedhjeve në Kosovë, i cili theksin e ka vënë pikërisht në marrëdhëniet ndërpersonale mes kryeministrit të pritshëm në Kosovë, Albin Kurti dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, të cilët kanë pasur një marrëdhënie të mirë prej vitesh, megjithëse pas protestave të studentëve në Tiranë dhe mbështetjes së Kurtit ndaj kauzës së tyre, marrëdhënia e tij me Ramën u ftoh.
“Marrëdhëniet ndërpersonale nuk kanë sjellë vetëm dobi, por kanë shkaktuar edhe dëme”, u shpreh Çejku për të komentuar këtë lloj marrëdhënie mes dy liderëve në Kosovë dhe Shqipëri. Ai shpreson se kryeministri i ri i Kosovës do të zbresë në këmbë në tokë për të tejkaluar marrëdhëniet ndërpersonale dhe për t’i hapur rrugë marrëdhënieve institucionale, ndërsa shtoi se edhe Rama do i tejkalojë marrëdhëniet ndërpersonale për hir të dy vendeve.