Ernest Gjoka prezantohet te Shkëndija e Tetovës

AKTUALITET


Ernest Gjoka është prezantuar të martën trajner i ri i ekipit të Shkëndijës së Tetovës. 49-vjeçari, që vjen pas drejtimit të disa klubeve të rëndësishme në Superligën shqiptare, nis një aventurë të re profesionale në Maqedoninë e Veriut. Pas firmës në kontratë, Gjoka është prezantuar me klubin dhe lojtarët. Në një prononcim për faqen zyrtare të Shkëndijës, Gjoka është shprehur se “ndihej i gatshëm për sfidën e re”.

“Mendoj se kam ardhë në një klub si Shkëndija që mbi të gjitha është një klub profesional dhe është një klub i ndërtuar me shumë kujdes. Përshtypjet e para janë shumë të mira dhe mendoj e shpresoj që këto përshtypje që do kem sot, t’i kem gjatë gjithë kohës që do të punoj këtu. Jam i gatshëm për këtë sfidë, sepse dihet se Shkëndija kërkon gjithçka. Kërkon të jetë gjithë kohës e suksesshme, të jetë kampion, të eci shumë në Europa League, të kap grupet e Europa League apo pse jo edhe Champion League “, u shpreh Gjoka.

Ernest Gjoka është një prej trajnerëve që ka fituar trofe vitet e fundit në Shqipëri, pasi drejtoi Kukësin në dy kohë drejt triumfit në Superligën shqiptare dhe Kupën e Shqipërisë. Përveç Kukësit, Gjoka në karrierën e tij si trajner drejtoi ekipe si: Vllaznia, Kamza, Flamurtari, Tomori dhe Apolonia. Shkëndija e Tetovës prej disa javësh ishte pa trajner të parë, pas largimit të Qatip Osmanit, që udhëhoqi kuqezinjtë e Tetovës në fitoren dy herë radhazi të titullit kampion në Maqedoninë e Veriut.



Skip to toolbar