Vetëm tre ditë para vendimit të Komisionit të Venecias për shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti Meta, kreu i shtetit ka nisur një fushatë justifikimi mbi arsyet e marrjes së vendimit të anulimit të 30 qershorit. Gjatë një takimi me pedagogë dhe studentë në Universitetin Europian të Tiranës, Meta është rikthyer tek vendimi i tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas së cilit nuk është një akt normal, por tha se e mori një vendim të tillë për të parandaluar një përplasje të mundshme civile që mund të përshkallëzohej dhe të përsëritej një 21 janar të dytë. (Ai në fakt shkaktoi të parin ne 2011, pas videoskandalit me Dritan Priftin). Që prej atij viti Meta, cdo 21 janar ka qënë jashtë shtetit, por të martën pasdite gjatë një bashkëbisedimi ne UET, i është kthyer kësaj date tragjike, në mënyrë “heroike” frojdiane.
“Nuk do ndaloj Komisionin e Venecias që të çmendet, jam i gatshëm t’i nënshtrohem çdo kontrolli mjekësor nëse mendoni se përdor doping. Unë jam shumë i qartë, Kushtetuta e Shqipërisë të drejtën ia jep Presidentit dhe askujt tjetër. Anulimi i zgjedhjeve nuk është një akt normal, se u konsultua presidenti me Partitë, por nga nëntori deri në 10 qershor, ju e dini që nuk ka qenë një situatë normale. E zhdekretova 30 qershorin për të parandaluar një përplasje të mundshme, që mund të përshkallëzohej më tej. Sepse në Shqipëri janë vrarë, duke filluar 2 prill i 1991 deri në 21 janar. Konfrontimi u evitua”, u justifikua Meta për vendimin për anulimin e 30 qershorit.
Madje, ai vazhdoi ligjeratën, duke i dhënë të drejtë vetes se evitimi i kësaj përplasje, pra respektivisht anulimi i 30 qershorit i jep shpresë sot shqiptarëve për hapjen e negociatave, ndërkohë që i gjithë faktori ndërkombëtar ka dënuar pikërisht krizën e shkaktuar, si faktor që mund të dëmtojë Shqipërinë në vendimin e pas 10 ditëve. “Nuk do të kishte sot një vendim apo një shpresë se mund të merret një autorizim ose një vendim për çeljen e negociatave. U detyrova që të zhdekretoja”, tha Meta.
Kreu i shtetit përsëriti sërish para studentëve dhe pedagogëve qëndrimin e tij se “zgjedhjet kanë qenë antikushtetuese, të paligjshme se asnjë gjykatë nuk ke ka rrëzuar dekretin e presidentit”. Por, në të vërtetë ai nuk përmendi faktin se dekreti i tij për anulimin e 30 qershorit është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor, i cili njohu procesin e nisur në atë kohë nga KQZ, por që tashmë pritet t’i vendosë vulën edhe Komisioni i Venecias, i cili në fakt, në raportin e publikuar para pak ditësh e ka rrëzuar dekretin e Metës, duke njohur edhe zgjedhjet e 30 qershorit. Para se të dilte ky raport, Presidenti kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen nëse raporti i Venecias ishte kundër tij, por që pas daljes së raportit, ai ndryshoi qëndrim. “Gjykata Kushtetuese mund të caktojë nëse kam bërë shkelje ose jo”, deklaroi Meta para studentëve duke mos dashur të largohet nga Presidenca, pavarësisht se mazhoranca ka nisur procedurën për shkarkimin e tij, ndërsa komisioni hetimor pritet të dalë në konkluzione deri në fund të nëntorit. Por vendimtar për Komisionin Hetimor do të jetë edhe opinioni i Komisionit të Venecias, i cili pritet të publikohet zyrtarisht më 11 tetor.