Pakt për Evropën, 5 pikat e Bushatit për t’i fituar zemrën BE

AKTUALITET


Ish ministri Ditmir Bushati ka propozuar hartimin e një Pakti Kombëtar përsa i përket integrimit europian. Po çfarë përmban ky pakt dhe si mundet të fitohet integrimi europian përmes tij, ish ministri i ka shpjeguar në një intervistë televizive ku rendit disa pika kryesore dhe jep shembuj konkretë nga vendet e Ballkanit që kanë ndjekur të njëjtën rrugë. Bushati merr si shembull Bullgarinë e cila hartoi një Pakt Kombëtar dhe i vuri si qëllim vetes se brenda 10 vitesh vendi do të jetë anëtar i BE, pavarësisht se kush parti qëndron në pushtet, pasi politikat e vogla të ditës nuk duhet të ndërhyjnë në projektin madhor, që është integrimi në BE.

“Mendoj që ne duhet të kemi një Pakt për Europën, për Shqipërinë për dhjetë vitet e ardhshme. Pra, fjala vjen po ju marr një shembull çfarë kam parasysh unë për Paktin për Europën. Në ’97-tën Shqipëria u bë shkrumb e hi. Por po në ’97-ën, në qoftë se e mbani mend Parlamenti në Sofje, në Bullgari u dogj, sepse kishte protesta dhe ishte në një situatë kaosi. Qeveria që doli pas zgjedhjeve në Bullgari e drejtuar nga Ivan Kostov, kur mori votëbesimin në Parlament tha se kjo qeveri ka objektiv që brenda dhjetë viteve ta anëtarësojë Bullgarinë në Bashkimin Evropian. Bullgaria sot është anëtarë e Bashkimit Evropian, pavarësisht kritikave dhe skepticizimit që ka për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë. Pra, çështja që unë dua të shtroj për diskutim dhe ku dua të jem protagonist për sa kohë jam në jetën politike të vendit është: Cili do të jetë objektivi kombëtar i Shqipërisë?

Pavarësisht se kush e qeveris vendin, pavarësisht se si e ka emrin kryeministri apo qeveria. Ne duam Shqipërinë që në 10 vite të jetë anëtare e BE dhe në këto dhjetë vite ne biem dakord që një, dy, tre, katër, pesë gjëra janë të pandryshueshme. Dy, ne na duhet një plan për burimet njerëzore dhe financiare. Pra, cili do të jetë jo thjesht ekipi negociator. Ka diplomatë që kanë shërbyer për të gjitha llojet e qeverive që ka pasur ky vend pas ‘90-tës. 4,5, 10 prej tyre mund të jenë ndër më të dalluarit. Çfarë do të bëjmë për këtë trup dhe këtë ekip? Tre, cilët do të jenë nëpunësit civil të një niveli të caktuar të cilët do të jenë aty dhe mund të mos ia dinë emrin as ministrit, as deputetit dhe askujt po do të jenë aty deri ditën që Shqipëria do të jetë vend anëtar i BE. Katër, sa nga shqiptarët e diasporës do të vijnë dhe cilët do të jenë incentivët që ne do të përdorim për këtë proces. Pesë, si do të punojmë ne me biznesin për të akomoduar standardet evropiane në praktikë, që ta bëjmë këtë gjë të prekshme”, është shprehur Bushati në emisionin “Përballë”, të Lutfi Dervishit në TVSH .

Ish ministri thotë gjithashtu se të gjitha këto përpjekje duhet të bëhen në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugën drejt integrimit në BE, pasi tre vite më parë as që mendohej që Shqipëria të futej në një shportë me Maqedoninë, ndërsa tani ekziston një skenar i errët që Shqipëria të futet në një shportë me Bosnjen dhe Kosovën përsa i përket integrimit europian. Gjë të cilën ne nuk e meritojmë, vlerëson deputeti socialist. /reasltory.al



Skip to toolbar