Partizani, Lerda ka dilema por e gëzon Trashi

AKTUALITET


Partizani rikthehet në fushën e lojës të shtunën, pasi luan në transfertën ndaj Vllaznisë. Trajneri i të kuqve, Franko Lerda beson se ndeshja e të shtunës do të jetë e bukur, pasi përballë do të ketë jo vetëm një skuadër të mirë, por edhe një stadium, që pritet të jetë i mbushur plotë me tifozë.  “Kam parë shumë mirë lojtarët mi. Skuadra ka treguar një kondicion të mirë gjatë kësaj kohe. Luajmë në një stadium shumë të bukur dhe në një fushë të mirë. Do të luajmë përballë një kundërshtari që sapo ka ardhur në Kategorinë Superiore dhe është i rreshtuar mirë taktikisht. Ndeshjet që ka bërë këtë javë kanë qenë të mira. “Loro Boriçi” do të jetë i mbushur dhe kjo na jep një motiv më shumë për të bërë një ndeshje të mirë”, tha Lerda.

Megjithatë, tifozët e Partizanit nuk do të udhëtojnë dot drejt Shkodrës. Shkak është dënimi me dy ndeshje i Komisionit të Disiplinës, pas trazirave në derbi. Ndërkohë, Franko Lerda shprehet se do të ketë ndryshime në formacion për sfidën ndaj Vllaznisë. “Mund të ketë ndryshime dhe sot mund të fiksoj formacionin. Kam dilema në mesfushë por edhe ata që do të luajnë do të shohim. Nuk kemi një numër 2 të mirëfilltë. I vetmi lojtar i atij pozicion është Idrizi por Mala e bën shumë mirë rolin e mbrojtësit kur luajmë me 4”, tha Lerda.

Shpesh herë, gjatë kryerjes së ndërrimeve në lojë, disa prej lojtrëve të Partizanit kanë shfaqur shenja tensioni dhe pakënaqësie. Franko Lerda është përgjigjur ndaj gazetarëve se skuadra është e qetë dhe punon si familje. “Mendoj se e keni parë gabim pasi kemi skuadër të qetë. Ndonjë koleg i juaji që vjen dhe sheh diçka por ne kemi marrëdhënie të mirë dhe punojmë si një familje e vërtetë dhe grup. Siç e kam thënë këto javë, e përgatis skuadrën për të hyrë në fushë për fitore. Këtë do të kërkojmë sepse në drejtimin e çdo skuadre kam zbritur në fushë për maksimumin. Se si zhvillohet ndeshja, mbetet për t’u parë por ne përgatitemi për maksimumin”, tha trajneri.

Në fund ai komplimentoi dhe Lorenc Trashin, i cili shënoi ndaj Moldavisë me kombëtaren. Italiani u shpreh se mbrojtësi duhet të vijojë me të njëjtën paraqitje edhe në takimet e tjera. “Ka ndeshje me Francën dhe nëse shënon do të jetë më e mrekullueshme. Trashi është ndër më të rëndësishmit dhe po tregon maksimumin. Sikur 1% të kisha ndikuar unë në formën që po kalon do të isha i kënaqur dhe performacën e tij e ka vlerësuar edhe Edi Reja duke e aktivizuar titullar”, përfundoi trajneri i Partizanit.



Skip to toolbar