Humbi në derbi, shkarkohet Franko Lerda

Humbja në derbi i kushtoi rëndë trajneri të Partizanit Franko Lerda. Klubi i ‘kuq’ njoftoi mbrëmjen e të shtunës se tekniku italian mbylli bashkëpunimin me skuadrën e Partizanit. “Klubi i Futbollit Partizani njofton se Presidenti Gazment Demi ka mbyllur ditën e sotme bashkëpunimin me trajnerin Franko Lerda. Presidenti Demi i uron trajnerit Lerda suksese të mëtejshme në karrierën e tij sportive”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Partizanit.

Franko Lerda u emërua trajner në verën e këtij viti, pasi nga Partizani u largua trajneri Skënder Gega. Tekniku italian drejtoi klubin në kupat e europës, por nuk pati sukses. Ndërkohë, në ndeshjet e kampionatit, Lerda arriti të mbante Partizanin në vendet e kreut, ku herë pas here edhe kryesoi renditjen.

Megjithatë, ndryshe nga sa pritej, skuadra e “Demave” pati oshilacione me rezultatet. Por, pavarësisht këtyre, duket se situata u komplikua më shumë nga atmosfera në ekip. Gjatë drejtimit të Partizanit, Franko Lerda do të mbahet mend për tensionet e krijuara me stafin e tij. Ai pati disa herë “sherre” me ndihmësit e tij, ndërkohë që nuk munguan as përplasjet me lojtarët.

Jasir Asani është një nga futbollistët që duket se krijoi më shumë përplasje me trajnerin, tashmë të largua nga partizani. Futbollisti nga Maqedonia e Veriut u la shpesh në stol, madje edhe në ndeshjen e fundit derbi. Ndërkohë, një vit më parë, sulmuesi ishte një nga pikat kyçe te Partizani. Tani pritet me interes të mësohet se kush do të drejtojë skuadrën e Partizanit.

Lerda u pezullua 7 muaj për dhunë

Të hënën në mbrëmje, pas përfundimit të ndeshjes Partizani-Kukësi, trajneri i ekipit kryeqytetas u përfshi në përleshje me ndihmësin e tij, Dritan Mehmeti, të cilin e goditi me grushte. Media të ndryshme sportive raportuan se trajneri kishte kërkuar dorëheqjen pas incidentit me ndihmësin e tij. Ndërkohë, Partizani nuk bëri asnjë reagim zyrtar për rastin në fjalë.

Ky ishte rasti i dytë brenda pak muajve në drejtimin e Partizanit, ku Franko Lerda përfshihej në incidentete me zyrtarët e klubit. Por a është rastësi e gjitha kjo? Jo, të paktën kështu sygjerojnë mediat italiane. Vite më parë, në sezonin 2013-2014, kur Lerda ishte trajner i Lecce, përballej me Frosinone në play-offin e Lega Pro, Franko Lerda u përfshi në një incident të dhunshëm, që i kushtoi jo pak, por 7 muaj pezullim.

Trajneri i Lecces në atë kohë, u dënua pasi goditi një lojtar të ekipit kundërshtar, Frosinone, dhe një tifoz, duke i qëlluar me shkelma dhe grushta pasi ishte provokuar. Ngjarja e rëndë tërhoqi vëmendjen e mendiave sportive në Itali në atë kohë, ndërsa të dy klubet, Lecce (që e humbi takimin) dhe Frosinone, u gjobitën nga komisionet e disiplinës në vendin fqinj. Por nuk është i vetmi rast ky në Itali.

Tekniku italian është akuzuar dhe për “blasfemi”, rast për të cilin ëshë ndëshkuar me një ndeshje pezullim nga organet sportive në Itali. Po në vitin 2014, në takimin Benevento-Lecce, dyshohet se Franko Lerda përdori dy shprehje blasfemuese. Për këtë arsye ai u dënua me një ndeshje pezullim. Por prifti i Lecces, Don Attilio Mesagne, kërkoi në atë kohë që të hiqej dënimi për Franko Lerdën, pasi shprehjet e tij nuk kishin qenë blasfemuese.

Lerda me Mehmetin, grushte te Partizani?

Një ngjarje e pahijshme dyshohet se ndodhi në përfundim të ndeshjes Partizani-Kukësi, me takimin që u mbyll në barazim 0-0.

Sipas Panorama Sport, trajneri i Partizanit, Franko Lerda, është përplasur fizikisht me ndihmësin e tij Dritan Mehmeti.

Sipas kësaj medie sportive, trajneri Lerda dhe ndihmësi i tij Mehmeti, kanë pasur fërkime gjatë ndeshjes, ndërsa në përfundim të saj janë konfliktuar dhe fizikisht.

Kjo është herë e dytë që trajneri i Partizanit përlaset me ndihmësin e tij Dritan Mehmeti, por dhe me përgatitësin Korado Sakone, pasi një ngjarje e tillë ndodhi dhe gjatë muajit korrik.

Në atë kohë, klubi mbrojti trajnerin Lerda, ndërsa nga skuadra u larguar Sakone. Megjithatë, Dritan Mehmeti qëndroi si ndihmës i Franko Lerdës.

Partizani, Lerda ka dilema por e gëzon Trashi

Partizani rikthehet në fushën e lojës të shtunën, pasi luan në transfertën ndaj Vllaznisë. Trajneri i të kuqve, Franko Lerda beson se ndeshja e të shtunës do të jetë e bukur, pasi përballë do të ketë jo vetëm një skuadër të mirë, por edhe një stadium, që pritet të jetë i mbushur plotë me tifozë.  “Kam parë shumë mirë lojtarët mi. Skuadra ka treguar një kondicion të mirë gjatë kësaj kohe. Luajmë në një stadium shumë të bukur dhe në një fushë të mirë. Do të luajmë përballë një kundërshtari që sapo ka ardhur në Kategorinë Superiore dhe është i rreshtuar mirë taktikisht. Ndeshjet që ka bërë këtë javë kanë qenë të mira. “Loro Boriçi” do të jetë i mbushur dhe kjo na jep një motiv më shumë për të bërë një ndeshje të mirë”, tha Lerda.

Megjithatë, tifozët e Partizanit nuk do të udhëtojnë dot drejt Shkodrës. Shkak është dënimi me dy ndeshje i Komisionit të Disiplinës, pas trazirave në derbi. Ndërkohë, Franko Lerda shprehet se do të ketë ndryshime në formacion për sfidën ndaj Vllaznisë. “Mund të ketë ndryshime dhe sot mund të fiksoj formacionin. Kam dilema në mesfushë por edhe ata që do të luajnë do të shohim. Nuk kemi një numër 2 të mirëfilltë. I vetmi lojtar i atij pozicion është Idrizi por Mala e bën shumë mirë rolin e mbrojtësit kur luajmë me 4”, tha Lerda.

Shpesh herë, gjatë kryerjes së ndërrimeve në lojë, disa prej lojtrëve të Partizanit kanë shfaqur shenja tensioni dhe pakënaqësie. Franko Lerda është përgjigjur ndaj gazetarëve se skuadra është e qetë dhe punon si familje. “Mendoj se e keni parë gabim pasi kemi skuadër të qetë. Ndonjë koleg i juaji që vjen dhe sheh diçka por ne kemi marrëdhënie të mirë dhe punojmë si një familje e vërtetë dhe grup. Siç e kam thënë këto javë, e përgatis skuadrën për të hyrë në fushë për fitore. Këtë do të kërkojmë sepse në drejtimin e çdo skuadre kam zbritur në fushë për maksimumin. Se si zhvillohet ndeshja, mbetet për t’u parë por ne përgatitemi për maksimumin”, tha trajneri.

Në fund ai komplimentoi dhe Lorenc Trashin, i cili shënoi ndaj Moldavisë me kombëtaren. Italiani u shpreh se mbrojtësi duhet të vijojë me të njëjtën paraqitje edhe në takimet e tjera. “Ka ndeshje me Francën dhe nëse shënon do të jetë më e mrekullueshme. Trashi është ndër më të rëndësishmit dhe po tregon maksimumin. Sikur 1% të kisha ndikuar unë në formën që po kalon do të isha i kënaqur dhe performacën e tij e ka vlerësuar edhe Edi Reja duke e aktivizuar titullar”, përfundoi trajneri i Partizanit.

Lerda euforik: Fitojmë Superkupën, Shpëtim Duron nuk e njoh

Partizani ndodhet prej disa ditësh në Elbasan, ku po përgatitet për ndeshjen e së dielës në finalen e Superkupës kundër Kukësit. Për trajnerin Franko Lerda, ekipi është gati në të gjitha aspektet, duke u shprehur se skuadra është e motivuar për ta nisur sezonin duke fituar trofeun e Superkupës.

“Ne jemi gati për ta nisur mirë këtë sezon, kemi dëshirën të bëjmë tonin këtë trofe për ta nisur mirë sezonin. Skuadra po punon shumë mirë, ende nuk kemi të gjithë efektivët në kushtet optimale se kemi pasur përgatitje me emra që janë afruar më vonë. Por po punojmë që të gjithë të jenë sa më gati edhe në aspektin fizik, edhe atë teknik”, është shprehur Lerda.

Ndeshja mund të shkojë dhe barazim, dhe gjithçka të vendoset nga pika e bardhë e penalltisë. Trajneri italian i Partizanit shprehet se është përgatitur për këtë situatë, ndërsa nuk ka preferuar të komentojë deklaratat e bëra nga Shpëtim Duro, se “Parizani luan futboll mbrojtës”.

“Ne jemi përgatitur se e parashikon rregulloja, ndaj kemi përgatitur në stërvitje edhe pjesën e penalltive. Nuk mund të përgjigjem ndaj trajnerit të Kukësit pasi nuk e njoh. Ne e kemi përgatitur me idenë tonë preçize të futbollit. Pastaj do të jetë fusha ajo që do ta japë gjykimin përfundimtar”, ka thën Lerda, ndërsa ka refuzuar të përgjigjet për largimin e Emmanuel Mensah.

“Për këtë çështje duhet të pyetni klubin, për këto gjëra është klubi që merret, unë përgjigjem për fushën e lojës”, është shprehur trajneri Lerda. Ndërkohë, lidhur me merkaton, italiani ka thënë se beson te zgjedhjet e klubit. “Kam ardhur në një vend të huaj, në një kampionat që nuk njoh, me një skuadër që ka fituar titullin, me drejtues që kanë ndërtuar një ekip që funksionon se ndryshe nuk do të fitonte. Nga trajnerët jam si natyre prej atyre që i besojnë klubit, ka edhe trajnerë-menaxherë, por unë i besoj kësaj skeme”.

UEL, Lerda: Rëndësi ka që krijojmë raste, Sherifin e vlerësojmë

Partizani do të përballet të enjten me Sherif Tiraspol, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Europa League. 24 orë para këtij takimi, trajneri i të kuqve, Franko Lerda u shpreh se kundërshtari është një ekip që ka pasur ecuri të mirë në vitet e fundit, për këtë arsye, Partizani do e vlerësojë maksimalisht.

“Sigurisht që kemi një kundërshtar që do ta vlerësojmë maksimalisht, duke ditur ecurinë e tij gjatë viteve të fundit. Është një skuadër që këtë sezon ka ndryshuar mjaft lojtarë. Por ne do ta vlerësojmë maksimalisht”, tha Lerda.

Më tej trajneri i të kuqve është shprehur se nuk shqetësohet për faktin që ekipi i tij s`shënon, por rëndësi ka që të krijojë raste. “Skuadra ka krijuar shumë raste në 2 përballjet e Champions, por nuk kemi arritur të realizojmë. Kjo nuk është problem. E rëndësishme është që ne të krijojmë raste”.

Por a do të tentojë Partizani kualifikimin ndaj Sherif Tiraspol? Lerda mbetet me këmbë në tokë, duke u nisur dhe nga eksperienca e parë në Champions League. “Detyrim për ne është që të japim maksimumin. Të zhvillojmë me përpikmëri të gjitha ato që kemi zhvilluar në stërvitje. Për sa i përket kualifikimit ajo do të jetë në vazhdimësi të këtyre që thashë. Parësore për mua është të sulmojmë në grup dhe të mbrohemi në grup si skuadër. Ky është objektivi që kam unë”.

Olsi Rama: Do rrisim profesionalizmin, Partizani me frymë europiane

Gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Partizanit, Franko Lerda, drejtori sportiv Olsi Rama ka shpalosur objektivat për sezonin e ri, ku sipas tij, synim do të jetë rritja e profesionalizmit. “Një nga synimet e mija kryesore është të rris nivelin e profesionalizmit dhe t’iu jap mundësi lojtarëve të përfaqësohen në vazhdimësi. Sfida e parë është në shortin e Champions Ligës. Shpresoj që goglat të na sjellin fat. Sido të jetë punë, do luajmë 11 kundër 11”, u shpreh Rama.

Më tej, Rama tha se Partizani do të grumbullohet në fazë përgatitore në Slloveni, ndërsa u shpreh se Skënder Gegës i ka uruar të jetë si Arsen Venger. “Ekipi do të grumbullohet për fazë në Slloveni. Kanë ardhur lojtarë të rinj, do të vijnë disa të tjerë, në mënyrë që skuadra të plotësohet dhe të bëjë sa më mirë në Champions. Për Gegën urova të jetë si Venger po nuk mendova titullin. E fituam titullin dhe jam i mendimit që një projekt të jetë i gjatë dhe idetë e trajnerit të jenë pjesë e futbollistëve në mënyrë të vazhdueshme. Vjet bëmë një hap të madh dhe tani shpresoj të bëjmë një tjetër hap të madh duke parë stërvitjen dhe marrëdhënien dhe të ngremë nivelin tekniko-taktik të skuadrën”, u shpreh Rama.

Zgjedhja e një trajneri italian në krye të Partizanit, është sepse, sipas Olsi Ramës, kërkohet frymë evropiane në ekip. Lerda ka mbaruar Koverçianon me nota shembullore, ndaj sipas numrit dy të klubit të kuq, mendon se zgjedhja e tij në krye të bankinës është një hap para.

“I kam pasur në konsideratë trajnerët shqiptarë. I vlerësoj dhe janë goxha të përgatitur. Zgjidhja ime është e tillë, pasi kërkoj të fus frymë Europiane në skuadër. Dua diçka më tepër. Bashkëpunëtorët e mia dua që të përmirësojnë problemet. Lerda na ndihmon të shohim një hap përpara. Me trajnerin bëmë një marrëveshje xhentëllmene. Trajneri e ka mbaruar Koverçanon me nota shembullore. Kam pyetur edhe bashkëpuntorët e tjerë, më ka bindur më tepër se çdo gjë, dëshira e tij dhe entuziazmi. Kishte konsideratë për Shqipërinë dhe dëshirë për të bërë më të mirën në karrierë. Në Shqipëri, Partizani duhet të jetë një urë për të gjithë lojtarët e rinj që të lancohen në Europë”, ka thënë ndër të tjera Rama.

Partizani prezanton trajnerin Franko Lerda: Kam ardhur me ambicie

Partizani ka bërë këtë të hënë prezantimin e trajnerit të ri të ekipit, që do të drejtojë kampionët në sezonin 2019-2020, duke nisur me pjesëmarrjen në Kupat Europës. Italiani Fanko Lerda është prezantuar paraditen e të hënës në zyrat e klubit të kuq, në prani të drejtorit Olsi Rama. Gjatë fjalës së tij, Lerda u shpreh krenar që do të drejtojë një klub si Partizani. “Për mua është kënaqësi të jem këtu në këtë vend të ri. Vend i cili është i afërt edhe nga ana kulturore me Italinë. Jam krenar që do të përfaqësoj këtë klub. E njihja si klub se ndjek kampionatet, por e njihja gjithsesi”, tha ai.

Më tej, ai u shpreh se objektivi i parë është paraqitja sa më mirë në Champions League. “Objektivi ynë primar është të përgatitim ndeshjet e Champions, i pari është të përgatitim sa më mirë ndeshjen. Duke folur me drejtorin O.Rama dhe presidentin Demi, objektivi ynë është të krijojmë mentalitet stil e imazh për skuadrën. Nëpërmjet punës, idesë së futbollit për rritjen e tij. Më bën të ndihem krenar që do drejtoj një skuadër kampione. Gjithsecili ka mënyrën e vetë të punës, shpresojmë që të jemi në të njëjta nivele sezonin e ardhshëm dhe të synojmë titullin. Dua të përgëzoj trajnerin e mëparshëm Gega”, tha trajneri i ri i të kuqve.

Më tej, Lerda u shpreh se projekti që i kanë ofruar drejtuesit e klubit është shumë ambicioz, ndërsa u shpreh se gjithçka do ta tregojë fusha e lojës. “Projekti që më ofruan drejtuesit ishte shumë ambicioz. Unë jam një njeri ambicioz. Vij në një realitet të panjohur por ekzistojnë mundësitë për të eliminuar ato që cilësohen si pengesa. Kam trajnuar lojtarë shqiptarë edhe në Itali, si Memushaj dhe Çani, të cilin e bëra unë të debutonte. Futbolli ne Shqipëri, Rusi, Kinë është në fushë, një raport klub shoqëri lojtarë. Gjithçka varet nga puna, fusha dhe strategjia që do të mundohemi të arrijmë”, tha Lerda.

Skip to toolbar