Shqipëria me avokate në PE. Kokalari sulmon Macron

#NËRADAR


Eurodeputetja shqiptare, që përfaqëson Suedinë në Parlamenti Europian, Arba Kokalari foli ashpër ndaj Presidentit të Francës Emanuel Macron për përdorimin e vetos për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë fjalës që mbajti në seancën e diskutimit të rezolutës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Arba Kokalari e quajti të tmerrshëm vendimin e përdorimit të vetos nga Macron për të bllokuar negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Presidenti Macron erdhi këtu dy vite më parë dhe tha se çfarë mendon për demokracinë dhe BE. Tregoi se duhet të vazhdojmë në rrugën e reformave, dhe unë jam shumë dakord me këtë. Tani e shikoj të tmerrshme që Macron dhe Franca e përdorën veton për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Kokalari.

Më tej, ajo theksoi se me këtë mos vendim për të hapur negociatat, BE i hapi rrugën Turqisë, Rusisë dhe Arabisë Saudite në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “I gjithë procesi i zgjerimit ka qenë shumë dobiprurës, për inkurajimin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe ecurinë e reformave. Ne duhet t`i inkurajojmë këto shtete, që po ndërtojnë demokracinë, që të vazhdojnë të ecin në këtë rrugë sepse nëse BE nuk do jetë prezente në rajon, Turqia, Rusia dhe Arabia Saudite do të hynë. Ne na duhet një BE që të jetë e bashkuar si në Perëndim ashtu dhe në Lindje”, tha deputetja shqiptare në Parlamentin Europian. /Realstory.al/



Skip to toolbar