Meta në Japoni, kërkon heqjen e vizave për shqiptarët

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta, i cili prej disa ditësh ndodhet për një vizitë zyrtare në Japoni, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit midis dy shteteve dhe në veçanti në realizimin e investimeve të reja japoneze në Shqipëri.

“Japonia është një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë, me kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, – është shprehur Meta në këtë takim, ndërsa ka vlerësuar rritjen e interesit të turistëve japonezë për Shqipërinë. Meta në këtë takim ka theksuar rëndësinë e heqjes së vizave nga Japonia për të gjithë qytetarët shqiptarë, sa më shpejt, që të rriten më tej shkëmbimet njerëzore midis dy vendeve.


Kryeministri Abe premtoi se do ta konsiderojë këtë kërkesë të Presidentit Meta.

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi edhe asistencën financiare dhe teknike të dhënë nga Japonia nëpërmjet Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA).

Në këtë drejtim Presidenti Meta theksoi se ka ardhur koha që Kryeministri Abe të vizitojë Tiranën për t’i dhënë një hov të ri bashkëpunimit, jo vetëm me Shqipërinë, por me të gjithë rajonin tonë.

Nga ana e tij, Kryeministri Abe premtoi se do ta konsiderojë këtë mundësi sa më shpejt të jetë e mundur.




Skip to toolbar