Gjykata e Krimeve të Rënda dënon me 3 vite burgim secilin prej 3 gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Durrës, që dyshohet se shpërdoruan detyrën. Petrit Çeno, Petraq Dhimitri dhe Kliton Spahiu dyshohet se dhanë një vendim në favor të biznesmenit Namik Sadiku, ndërsa biznesmeni më pas sponsorizoi një udhëtim turistik për tre gjyqtarët në Spanjë.
Megjithatë, gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, do të vuajnë vetëm 2 viteë burgim, pasi më herët kishin kërkuar dhe u ishte pranuar gjykimi i shkurtuar.
Ndërkohë, biznesmeni Namik Sadiku është dënuar gjithashtu nga gjykata me një vit burgim. Rasti në fjalë u bë i njohur pesë vite më parë, kur tre gjyqtarët udhëtuan drejt Spanjës për të parë ndeshjen “El Classico” mes Barcelonës dhe Real Madrid, të shoqëruar dhe sponsorizuar nga biznesmeni Namik Sadiku.
Biznesmeni ishte palë në një çështje gjyqësore, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Pas zbulimit të këtij skandali, gjyqtarët u akuzuan për veprën penale “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve apo punonjësve të tjerë të Drejtësisë”, ndërsa tani do të vuajnë dhe dënimin.