Tirana renditet në krye të destinacioneve më të përballueshme për pushime në qytetet evropiane. Sipas një studimi të publikuar në median britanike “Daily Mail”kryeqyteti shqiptar mund të eksplorohet me një buxhet mesatar prej vetëm 51 paund për person në ditë.
Arkitektura, atmosfera e gjallë e kafeneve dhe atraksionet turistike e bëjnë Tiranën një alternativë tërheqëse për turistët që kërkojnë të udhëtojnë me buxhet të kufizuar.
Në bazë të dhënave të përllogaritura në studim thuhet se një fundjavë tre-ditore në Tiranë mund të kushtojë rreth 153 paund për person. Në kontrast, për një udhëtim të ngjashëm në Amsterdam, turistët do të shpenzonin rreth 915 paund, ose 305 paund në ditë.
Po ashtu sipas “Daily Mail” edhe ushqimi e akomodimi në kryeqytetin shqiptar rezultojnë me çmime konkurruese. Një racion me një prej ushqimeve më tradicionale siç është tavë kosi, kushton rreth 7 paund, ndërsa një natë qëndrimi në hotel llogaritet mesatarisht në rreth 27 paund e 50 pens për person.
Studimi vëren gjithashtu rritjen e interesit për Shqipërinë si destinacion turistik, ndërsa rezervimet për vendin janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Tirana duket se po fiton kështu një tjetër avantazh në hartën turistike evropiane: një kryeqytet që ofron eksperienca, ushqim dhe kulturë, pa kërkuar një buxhet të madh nga turistët.
