Xhuliano Frroku, i cili rezulton të jetë djali i drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në Lezhë është arrestuar nga Policia e Lezhës dy ditë më parë.
Mësohet se Frroku është pikasur si i dyshimtë nga patrulla e Policisë dhe i është bërë me shenjë që të ndalojë. Në momentin e ndalimit, 22-vjeçari ka kundërshtuar punonjësit e policisë, duke mos i lejuar që të bënin kontroll në mjetin e tij.
Megjithatë policia ka kryer kontrollin e automjetit dhe brenda tij ka gjetur 2.3 kg lëndë narkotike të llojit kanabis. Pavarësisht kundërshtimit të tij, Frroku është arrestuar dhe është shoqëruar në Komisariatin e Lezhës. Sipas policisë, arrestimi i tij u bë gjatë operacionit “Kreshta 2” në Rrugën e Kallmetit.