Grida Duma mbrojti idenë e një sistemi zgjedhor me lista të hapura. Në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Duma u shpreh se sistemi zgjedhor me lista të hapura i jep mundësi opozitës të fitojë më shumë vota në të gjithë vendin. Por, e pyetur nga gazetari Sokol Balla, se nëse me listat e hapura, ajo fiton më shumë vota se Lulzim Basha, çfarë ndodh? Grida Duma u shpreh se nuk është ky problemi, pasi sipas saj kryetari i partisë është i preferuari për të marrë drejtimin e kryeministrisë.
“Çfarë ndodh nëse ti votohesh më shumë se Basha? Nuk ka për të ndodhur dhe nuk ka si të ndodh. Le të votojmë logon. Ne nuk duhet të maksimizojmë servizlimin. Nëse votohet kryetari i partisë dhe pesë emra, kryetari është i preferuari. Nuk jemi këtu për të kompleksuar kryetarët e partive, por a ka mundësi ti çlirojmë kryetarët e partive nga përgjegjësia e një liste personale”.
“Çdo kryetar partie ka një dhjetëshe këshilltarësh, që nuk nuk japin dot rezultatin që do të japin ty listat e hapura dhe kërkesa e bazës së partisë. Sot, besoj, që duhet t`i qasemi njerëzve me një vërtetësi të domosdoshme. A ka mundësi të mos gjykohemi dhe paragjykohemi se po themi disa gjëra për ti bërë më mirë”, tha Grida Duma ndër të tjera.
Ndërkohë, Grida Duma propozoi në Real Story, që Lulzim Basha të publikojë qeverinë në hije. “Ata njerëz që do të përfaqësojnë nesër moralin e PD-së duhet të bëhen publikë. Nuk duhet të imagjinohen nga deklaratat e partisë emrat e ministrave të ardhshëm. Qeveria në hije e PD duhet të ishte prezantuar dhe njerëzit duhet të ishin njohur që më parë me njerëzit që do t’i qeverisnin”, tha Grida Duma. /Realstory.al/