Prokurori Arjan Ndoja, i cili u akuzua nga kryeministri për lidhje me krimin e organizuar, ka rënë pre e një atentati, gjatë të cilit ka mbetur i plagosur bashkë me dy persona të tjerë, që shoqëronin prokurorin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur te mbikalimi i Shkozetit, ku makina me të cilën udhëtonte prokurori Ndoja është qëlluar me breshëri automatiku.
Policia tha paraprakisht se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 te mbikalimi i Shkozetit, ku është qëlluar me armë zjarri një makinë e për pasojë janë plagosur prokurori Arjan Ndoja, 44 vjeç, Aleksandër Laho, 48 vjeç, dhe shoferi i prokurorit Andi Maloku, 30 vjeç. Menjëherë, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku gjetur njërin nga mjetet, me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonte prokurori, ndërkohë që ka nisur hetimet për identifikimin dhe gjetjen e mjetit tjetër, nga i cili është qëlluar me armë zjarri. Sipas të dhënave, Andi Maloku është dërguar në QSUT, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa prokurori dhe Laho janë dërguar në spitalin e Durrësit.
Burimet policore thanë se janë ngritur disa pika kontrolli në rrugët kryesore por dhe në ato hyrëse e dalëse të Durrësit, ndërsa të plagosurit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Nga ana tjetër, një grup hetimor i ngritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij krimi.
Prokurori Arjan Ndoja dyshohet se ka qenë objektivi i këtij atentati, i cili është akuzuar edhe nga kryeministri për lidhje me krimin e organizuar, ndërkohë që prej disa vitesh, ai ka pasur edhe përplasje të tjera për shkaqe pronësie. Gjithashtu, Ndoja është prokurori, i cili pak ditë më parë, kërkoi arrestimin dhe mbajtjen në burg të zyrtarëve të kadastrës Durrës, veprim i cili solli reagimin e Kryeministrit Rama dhe të zëvendëskryeministri Braçe.
Gjithsesi pozita e prokurorit është rënduar dhe më shumë, pasi në shoqërinë e tij në momentin e atentatit ka qenë edhe Laho, i cili njihet edhe si Landi Muharremi dhe është me precedent penal. Muharremi ka qenë i arrestuar më parë për dhunën e ushtruar ndaj biznesmenit libanez, Fadi Mitri, i cili do të ndërtonte një kompleks turistik te Gjiri i Lalzit, por pas kësaj ngjarje u tërhoq nga investimi në Shqipëri. Ndërsa emri i personit tjetër nuk është bërë publik nga policia.