Mazhoranca ka reaguar për herë të parë ndaj vilës së marrë me qira nga kreu i PD, Lulzim Basha, duke kërkuar që ai të hetohet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive për kontratën e qirasë. Reagimi i mazhorancës socialiste ka ardhur nga ministrja për marrëdhëniet me parlamentin, njëkohësisht zëdhënëse e qeverisë, Elisa Spiropali, e cila përmes një videomesazhi deklaron se ILDKPKI dhe SPAK duhet të merren me Lulzim Bashën për hetimin e këtij rasti, ndërsa ka paralajmëruar se historia e vilave dhe gjysmë milionë dollarë ruse do të gjykohen nga gjyqtarë të dalë nga vettingu.
“Qeveria ka sajuar faktin se Luli merr dy vila me qira te lagjja ekskluzive, e ndërtuar nga njeriu që vetë Luli e ka bërë copë e çikë si oligark, ndërkohë që nga ana e tij Luli s’tregon asnjë kontratë qiraje. Në të vërtetë qeveria nuk ka kohë të merret me Lulzim Bashën, por Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, si dhe SPAK-u nesër duhet të merren me këtë histori tipike për njeriun që është bërë simbol i asaj shprehjes ‘bëni si them unë, mos bëni si bëj unë’. Lulzim Basha akuzohet nga mediat se qiraja është një gjethe fiku për të mbuluar faktin se të dyja vilat janë blerë prej tij. A është e vërtetë kjo akuzë, ne nuk e dimë, por ne dimë se Lulzim Basha është i njohur për dorën e rëndë të lëvizjes së shumave të mëdha të parave dhe sot që flasim, ai është i pandehur për më shumë se gjysmë milionë dollarë, që kanë lëvizur në emër të Partisë Demokratike, por që nuk figurojnë gjëkundi në arkën e parave të ligjshme të asaj partie”, ka deklaruar Spiropali.
Sipas zëdhënëses së qeverisë, historia e dy vilave të Lulzim Bashës është pavarësisht fakteve, një tjetër faqe e zakonshme e historisë së një politikani abuzues me ligjin dhe fitues kronik në një terren ku drejtësia i ka garantuar atij paprekshmërinë, por është njëkohësisht dhe historia tipike e një politikani që nuk ndalon së hapuri gropën ku bie vetë politikisht. Po ashtu, ajo ka paralajmëruar se ai do i nënsshtrohet drejtësisë me trupë gjykuese të dalë nga vettingu. “Ai s’e ka problem të bjerë në gropë e të bërtasë fitore, ndërsa ligjërisht do ta ketë me siguri shumë më të vështirë ta kalojë historinë e dy vilave me gjysmë milion dollarë të pajustifikuara, duke kënduar himnin përballë trupës gjykuese të dalë nga rruga e vettingut dhe e drejtësisë së re”, përfundoi Spiropali.