Nicholas Negroponte është shkencëtar, sipërmarrës dhe një nga pionerët e teknologjisë digjitale që ka themeluar 35 vjet më parë Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT), ku përpunohen ide të mëdha teknologjike që lidhen me inteligjencën artificiale dhe robotikën.
Së fundi Nicolas Negroponte ishte në Dahran të Arabisë Saudite, ku u ftua të jepte një leksion mbi të ardhmen e një bote dixhitale dhe ku bëri deklarata të forta midis të cilave dhe ajo e projektimit të njeriut të së ardhmes, i cili do të mund të jetojë edhe 200 vjeç.
Negroponte theksoi në leksion se teknologjia në 50 vitet e fundit ka evoluar me ritme shumë të shpejta, por në 20 vitet e ardhshme ndryshimet do të jenë më mbresëlënëse. Ato do të transformojnë të ardhmen dhe do të bëhen kryesisht në fushën e bioteknologjisë.
“Ndryshimet do të ndodhin aty ku bashkohet gjenetika dhe teknologjia dixhitale dhe ato që pritet të jenë aq të mahnitshme sa është shumë e vështirë të imagjinohet se si do të duket bota. Për shembull, mund të jemi në gjendje të krijojmë njerëz, gjëra që nuk mund t’i imagjinonim më parë. Dhe unë do t’ju jap një shembull shumë specifik. Kur krijuam Media Lab në MIT, menduam të ishim shumë gjithëpërfshirës.
Por askush nga ne, as unë dhe asnjë nga kolegët tanë nuk besuam se sot, në vitin 2019, ne mund të projektonim…minj. Sot në MIT ka një program në të cilin ne krijojmë minj. A janë vërtet këta minj? Nga kanë ardhur? Ne i kemi krijuar ata dhe ju mund të shihni në laboratorin e MIT minj të vegjël që ecin djathtas dhe bëjnë gjithçka që bëjnë minjtë. Unë mendoj se ajo që do të shohim në 10-15 vitet e ardhshme do të jetë e mahnitshme”, është shprehur shkencëtari.
I pyetur se si mund ta përballojë planeti jonë faktin se njerëzit do të jetojnë 200 vjeç ai u përgjigj:
“Me një përgjigje të shpejtë po. Sot me gati 8 miliardë njerëz, nëse të gjithë do të jetonin deri në 200 vjet, dhe me një rritje normale të popullsisë, do të arrinim shumë shpejt në 20 miliardë njerëz, aq sa është shifra që planeti mund të strehojë sipas Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera.
Nëse nuk kemi ndotje, nëse nuk kemi dioksid karboni, nëse kemi energji të pafund dhe falas mund të prodhojmë për shembull mish për konsum pa patur nevojën e bagëtive. Mund të kemi sa ujë të dëshirojmë. Mendoni se sa ndotje dhe humbje të burimeve vijnë nga bagëtitë, që ju dhe unë të mund të kemi një biftek për të ngrënë. Është qesharake.
Nëse ridizenjojmë të gjithë prodhimin e ushqimit, toka mund të strehojë shumë më tepër njerëz. Numrat të cilat ne dëgjojmë shpesh vijnë nga mendime të vjetëruara për mënyrën sesi mund t’i ushqenim gjithë këta njerëz, ose si mund të kishim ajër të kondicionuar në çdo shtëpi në Afrikë. Ka gjëra që thuhet se nuk mund të bëhen pasi mendohet se kostot e energjisë janë të mëdha qoftë në para, ashtu edhe në aspektin mjedisor”, ka shpeguar shkencëtari.
Madje Negroponte thotë se teknologjia do të çlirojë njerëzit nga puna siç ne e njohim sot.
“Nëse shikoni në të kaluarën do të zbuloni se puna është një ide relativisht e re. Nëse ktheheni në kohë, jo më se larg 150 vjet dhe shihni se si kanë jetuar të pasurit ose mbretërit dhe fisnikët, zbuloni se ata dëgjonin muzikë, gatuanin dhe shkonin për gjueti …Argëtimi i tyre ishte të stërvisnin shpirtin e tyre, të kuptonin dhe vlerësonin muzikën, artin, etj.
Me fjalë të tjera, ju mund të imagjinoni një botë ku puna do të ketë shumë aspekte, por nuk do të jetë ashtu siç është sot, dhe unë mendoj se është më interesante dhe më sfiduese sesa një model ekonomik që do t’ju sigurojë të ardhura minimale të garantuara siç është ajo që disa njerëz aktualisht po tregtojnë si ide.
Nëse shikoni botën sot, është interesante të vëzhgoni saktësisht se çfarë bëjnë fëmijët e njerëzve të pasur. Sepse ata padyshim nuk duhet të bëjnë atë që bëjnë shumica për të pasur sukses. Dhe do të shihni një numër mbresëlënës të fëmijëve të tillë që bëjnë gjëra të rëndësishme dhe kërkojnë të gjejnë një kuptim në jetën e tyre.
Ata janë artistë, shkrimtarë, bëjnë karrierë në kinema, në teatër, përfshihen në gjëra krijuese që nuk çojnë domosdoshmërisht në atë që prindërit dhe gjyshërit e tyre mund të kishin imagjinuar dhe pritur, duke nënkuptuar stabilitetin financiar.
Sigurisht që jo të gjithë fëmijët e bëjnë këtë, por është interesante të reflektojmë dhe të përpiqemi të nxjerrim disa përfundime se çfarë do të thotë kjo. Sepse ambicia juaj mund të mos jetë pasuria, sepse e keni atë. Ambicia juaj është të gjeni kuptim në jetën tuaj dhe të kërkoni gjëra që në të kaluarën dukeshin si luksoze”, është shprehur shkencëtari Negroponte.