Ndërron jetë Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja. Ai, së bashku me prokurorin Ndoja dhe shtetasin Pëllumb Muharremi, mbeti i plagosur një javë më parë në një atentat mafioz. Andi Maloku ishte duke drejtuar mjetin ku ndodhej prokurori dhe miku i tij Pëllumb Muharremi, kur gjatë pasdites të së premtes u qëlluan nga një tjetër mjet me breshëri kallashnikovi.
Në atentat mbetën të plagosur të tre personat që ndodheshin në mjetin e prokurorit. Por ndryshe nga prokurori Arjan Ndoja dhe miku i tij Pëllumb Muharremi, shoferi Andi Maloku mori plagë më të rënda. Maloku mori dy plumba, një në shtyllë kurrizore dhe një në shpatull. Mjekët e bën të pamundurën për ta mbajtur në jetë shoferin e prokurorit, por duket se kjo ishte e pamundur.
Andi Maloku bëhet viktima e parë gjashtë ditë pas antetatit të së premtes së kaluar. Ndërkohë, prokurori Arjan Ndoja dhe shtetasi tjetër i plagosur, Pëllumb Muharremi, kanë kaluar rrezikun për jetën. Deri më tani Policia e Shtetit ka arrestuar një person të dyshuar për ngjarjen kriminale që tronditi vendin. 34-vjeçari Redjan Rraja nga Fushë Kruja, është personi i vetëm i dyshuar i atentatit, që ndodhet pas hekurave për momentin.