Atentati ndaj Ndojës, Krimet e Rënda “rihapin” dosjen Konomi

AKTUALITET


Të tjera detaje dalin nga hetimet lidhur me atentatin e gjashtë ditëve më parë ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Sipas News 24, grupi i hetimit është duke hetuar pistën e përplasjes së grupeve kriminale në Durrës për zotërimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Në hetim janë përfshirë disa procese gjyqësore që kanë në qendër tjetërsimin e pronave që kanë çuar në përplasje të ashpër mes njerëzve të botës së krimit. Dosja e parë që është sekuestruar nga Krimet e Rënda, është ajo e Pal Selçunit, një 74-vjeçar i cili përfitoi 45 mijë metër katrorë tokë me një vendim gjykate disa vite më parë.

Arsyeja pse është sekuestruar kjo dosje lidhet me faktin se çështja Selçuni është përfaqësuar nga studio ligjore e bashkëshortes së Arjan Ndojit. Në gjykim ishte palë dhe Avokatura e Shtetit dhe Bashkia e Durrësit. Por asnjëra prej tyre nuk e ankimoi vendimin. Sapo përfitoi pronën, Selçuni ia shiti atë familjës muharremi. Në këtë sipërfaqe nisi të investonte biznesmeni libanez Faad Mitri, i cili u rrah barbarisht dhe më pas u largua nga Shqipëria, duke anuluar dhe investimin e kompleksit turistik. Pëllumb Muharremi alias Aleksandër Laho i njohur si “Rrumi” i dyshuar se ishte pjesë e dhunës ndaj biznesmenit, nuk u mor asnjëherë në pyetje për këtë ngjarje.


Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi dosjen e pronave të pretenduara nga gjyqtari i ndjerë i Vlorës, Skerdilajd Konomi, i vrarë disa vite më parë po në një atentat mafioz. Sipas News 24, referuar dokumentave, familja Toptani ka një proces të hapur gjyqësor me familjen Konomi, për një sipërfaqe prej 275 hektarësh me vendodhje në Hamallaj në Durrës.

Duket se kjo nuk ka asnjë lidhje me atentatin ndaj prokurorit. Por, fakti që në proces janë përfshirë persona me lidhje me Aleksandër Lahon ngre dyshime të forta. Padia, për procesin mes familjes Toptani dhe Konomi, aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Durrësit. Krimet e Rënda po shqyrtojnë edhe prona që dyshohet se familja Muharremi ka zaptuar, kryesisht prona shtetërore, por që tashmë janë regjistruar me emrin e tyre.




Skip to toolbar