Real, poker ndaj Eibar dhe merr kreun

SPORT


Në pritje të ndeshjes Barcelona-Celta Vigo, Reali i Madridit ka arritur të marrë kreun e renditjes në kampionatin spanjoll falë fitores së thellë 0-4 në transfertën ndaj Eibarit, duke u hakmarrë në njëfarë mënyre për humbjen 3-0 të sezonit të kaluar.

 “Los Blancos” ishin një furi e vërtetë në stadiumin “Estadio Municipal de Ipurua”, ku zhbllokuan sfidën në minutën e 17’, me një gol të sulmuesit francez Karim Benzema, i cili shtyu në rrjetë një top të kthyer nga portieri i vendasve.

Vetëm tre minuta më vonë arbitri akordoi një 11-metërsh, të cilin e fitoi Eden Hazard dhe e shndërroi në gol kapiteni Sergio Ramos, ndërsa në të 29-ën pati një tjetër penallti për madrilenët, të cilën këtë herë e ekzekutoi saktë francezi Benzema.

Në pjesën e dytë ishte Valverde që pas një asisti të Luka Modriç, shënoi edhe golin e katërt për Realin e Madridit, duke vulosur suksesin që ngjit kryeqytetasit në kuotën e 25 pikëve, dy më tepër se Sociedad i vendit të dytë dhe tre më tepër se Barcelona.

Më herët Valencia mposhti Granadën me rezultatin 2-0, ndërsa golat u shënuan në 15 minutat e fundit të sfidës nga Wass dhe Torres.



Skip to toolbar