Ka nisur me përplasje të dhunshme shembja e ndërtimeve pa leje në zonën e Astirit për t’i hapur rrugën ndërtimit të Unazës së Madhe në Tiranë. Dhjetëra banorë kanë qëndruar natën jashtë për të mbrojtur bizneset apo objektet e tyre, ndërkohë që me ardhjen e punonjësve të IKMT-së të cilët kanë nisur nga puna për të shembur ndërtesat e para ata që janë kompensuar, banorët kanë reaguar në mënyrë të dhunshme duke goditur policinë me gurë dhe me bomba molotov. Si pasojë e përplasjeve të dhunshme, kanë mbetur të plagosur 4 efektivë policie të cilët janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Policia ka shoqëruar dhjetëra persona në komisariat që kanë reaguar dhunshëm ndaj policisë.
Tensionet mes banorëve dhe policisë kanë nisur që prej orë 06:00 të mëngjesit, ndërsa prania e Policisë së Shtetit aktualisht është e madhe në numër.
Ndërkohë punonjësit e IKMT-së po vijojnë shembjen e godinave pa leje në gjurmët e Unazës.