Sot ishte një ditë e rëndësishme për Drejtësinë Shqiptare. Tre prokurorë shqiptarë në një mënyrë të paprecedentë, dhanë provim live para kamerave dhe Këshillit të lartë të Prokurorisë. Miliona shqiptarë kështu panë dhe tashmë kanë edhe gjykimin e tyre personal dhe profesional, për një nga tre njerëzit e drejtësisë që kërkojnë postin e lartë të Kryeprokurorit, në epokën e re të drejtësisë në vend. Procedura e re e transmetimit televiziv, e bëri edhe më të bukur gjënë, jo thjesht për transparencën totale, por edhe për mënyrën sesi funksionon edhe Këshilli i Prokurorisë, një organ i anatemuar dhe rreptësisht i vëzhguar nga amerikanët. Gjithashtu siguroi që më në fund njerëzit e drejtësisë nuk janë as mbi ligjin dhe as mbi popullin e thjeshtë.
Por kjo ditë e mirë për Drejtësinë, pati në fund edhe dramën e paralajmëruar. Sigurisht autori është i vjetër. Presidenti ilir Meta priti sa avioni i tij të bënte touchdown në Rinas dhe menjëherë dekretoi Marsida Xhaferrllarin, një kandidate gjerësisht e konsideruar nën influencën e Opozitës, si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Dekreti i Metës është i diskutueshëm së paku për faktin se ai bëri një dekret jashtë afatit të tij, së dyti sepse ndërkohë në dekret la të kuptonte se njihte të dy anëtarët e Kushtetueses votuar nga Kuvendi, pra kundërshtoi parimin e radhës që ai përdori për të mos dekretuar një emër nga lista e parë, së treti sepse zgjodhi emrin e katërt në listë ndërkohë që zgjedhjet e tij janë tre, dhe së katërti sepse ai la jashtë, emrin e parë, më të kuotuarin profesionalisht nga lista e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsin.
Sigurisht që tani duhet të gjejmë përgjigje se përse Meta bëri këtë veprim, që përplas atë përfundimisht jo me shumicën, por me vendin dhe me ndërkombëtarët që kanë kërkuar me ngulm, njëlloj si ai vetë në fakt ngritjen e Gjykatës Kushtetuese? A thua ai vërtetoi kështu një “Pazar” mes tij dhe Ramës, për të hequr një kandidat që nuk ishte e askujt, siç konsiderohet Arta Vorpsi? A do të dekretojë ai edhe dy gjykatëset e tjera të Kuvendit, në indiferencë totale ndaj argumenteve që ai dha vetë pak ditë më parë? Çfarë pritet të ndodhë tani me këtë proces që është më shumë politik se juridik, më shumë ndërkombëtar sesa i rëndësishëm për ne vetë? Çfarë i ka mbetur në dorë maxhorancës, e cila vërtetoi se ka 105 vota në Kuvend, që dalin e teprojnë për ta shkarkuar që nesër Kreun e Shtetit?
Mund të ketë shumë pikëpyetje, por ama ca gjërat duket se janë të thjeshta. Në Shqipëri ka një puç shteti që zbatohet prej një viti. Por ndryshimi i puçit tonë nga ai klasik në Historinë Botërore të Shtetit, është original shqiptar: ne këtu nuk po shkatërrojmë një shtet. Thjesht secili po ngre shtetin e tij. Me të drejtë tallej Patozi kur thoshte mbrëmë se tani i ka mbetur vetëm Bashës të ngrejë Gjykatën e tij paralele, në këtë vend karagjoz ku jetojmë. Tani se kush është autori i puçit të shtetit, këtë mbetej të na e sqaronte Gjykata Kushtetuese. Por meqë po e shkatërrojnë edhe këtë, mbetet të themi vetëm dy gjëra të thjeshta në fund:
E para, pocaqia për Kushtetuesen është pasojë e një reforme të shkruar jo mirë, që i heq presidentit dhe politikës mundësinë të ndikojë në zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, por i lë atyre çelësat e zyrës së këtyre anëtarëve (Meta nuk ndikon dot në zgjedhjen e Vorpsit, por nuk e lë atë të betohet e të nisë punën).
E dyta: Nuk ka nevojë të presësh konferencën për shtyp të Metës, për të kuptuar arsyen përse ai e bëri këtë. Presidenti nuk e do Gjykatën Kushtetuese të ngritur, me një shumicë jashtë vullnetit të tij. Atij nuk i dalin tre anëtarë. Ai i do të gjithë. Dhe nuk i do as me vetting të mirë. I do të kapur dhe të ndikueshëm. Ai nuk e do për Opozitën e as për Balancën. Ai ka vetëm një hall: të mos shkarkohet. Në këtë mënyrë ai sot vendosi të bëjë atë që kishte premtuar. Jo atë premtimin te Çim Peka se atë mendon se e kaloi me të qeshur. Sot ai vendosi të mos njohë vendimin e mundshëm nesër për shkarkimin e tij nga Gjykata Kushtetuese. Vendosi të rrijë me zor në Presidencë, të mbyllet me zinxhirë e dry në zyrë e të rri aty deri në 2022. Pa drita, pa ujë, pa roje, pa telefon. Si Berisha në 1997.
Le të rrijë.
Deri atëherë askush nuk do ketë më nevojë për të. Kur të duan ta pyesin, do t’ia gjejnë mënyrën sesi ta takojnë.