Kushtetuesja, Meta shpërthen ndaj të gjithëve: Mafiozë, të korruptuar…

POLITIKË


Me shpërthime dhe aspak qetësi, me akuza të forta, që nga Kuvendi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ambasadorë dhe ndërkombëtarë, Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka mbrojtur me forcë, me një gjuhë që nuk i shkon aspak një Presidenti, se dekreti i tij për emërimin e Marsida Xhaferllarit jashtë afatit ligjor dhe jashtë listës së tre personave të parë, të renditur sipas pikëve të marra, është kushtetues dhe se ai nuk ka asnjë afat se kur mund të shprehej për këtë dekret. Por më shumë se mbrojtja e një dekreti, që më shumë ishte një shfaqje force, Meta u duk qartë se dekreti për Xhaferllarin ishte më shumë “klithma” e fundit e kreut të shtetit për të mbrojtur veten nga shkarkimi.

Afati ligjor


Në daljet e tij publike rreth 60-minutëshe, Meta pretendoi që në fillim se nuk ka afat kushtetues për Presidentin në lidhje me kohën që duhet për të zgjedhur kandidatët për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, duke shmangur kështu atë që thotë qartë ligji për “Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i cili definon që Presidenti dhe Kuvendi kanë afat 30 ditë për t’u shprehur. Por, Meta me këtë deklaratë mohoi edhe veten, pasi dekretimin e anëtarit të parë për Kushtetuesen, Besnik Muçin, ai deklaroi se po respektonte afatet, ndërsa për rastin e dytë tha nuk ka afat. Po ashtu, pasi kaluan 30 ditë nga afati ligjor për të zgjedhur kandidatin, Meta i kërkoi Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të pezullonte procesin në mënyrë që radha për zgjedhjen e anëtarët të radhës të Gjykatës Kushtetuese, t’ia kalonte Parlamentit. Por KED tha se afati ligjor prej 30 ditësh ka kaluar, kështu që u përzgjodh automatikisht kandidatja e parë në listë për në Kushtetuese, Arta Vorpsi. Kështu, Meta thotë se dekreti i tij i sotshëm për zgjedhjen e Marsida Xhafellarit anëtare të Gjykatës Kushtetuese, është i ligjshëm.

Sulmi ndaj KED

Meta tha se puna e KED është të merret vetëm më aspektin procedural dhe të sigurohet që të respektohet ligji dhe kriteret për Gjykatën Kushtetuese. “KED është institucion kolegjial dhe nuk mundet që kryetari i KED të bëjë lojëra për të vendosur kohën për listat për vakancat që i çohen presidentit dhe Parlamentit”, tha Meta, duke pretenduar se kjo ishte një lojë e KED. Po ashtu, Presidenti Ilir Meta e cilësoi kryetarin e KED-së Ardian Dvorani mafioz. “Kryetari i KED bën lojëra me karakter administrativ në mënyrë mafioze, që të vendosë presidentin në këtë pozitë, kreun e shtetit, që të shkelë Kushtetutën. Kjo është e turpshme, është mafioze”, deklaroi Meta, duke hedhur akuza të rënda ndaj kreut të KED.

Kapja e Gjykatës Kushtetuese

Por akuzat e tij nuk u ndalën vetëm me kreun e KED. Meta akuzoi se po tentohet që të kapet Gjykata Kushtetuese, ndwrsa pretendoi se ai ka ndjekur radhwn qw ia pwrcakton Kushtetuta, pasi nuk mund tw shkelte Kushtetutën. “Unë jam shumë korrekt se Kushtetuta thotë se vakancën e plotëson Presidenti, të dytën parlamenti dhe të tretën Gjykata e Lartë dhe kështu përsëritet. Radhitja nuk është rastësi është për ruajtur balancat si krijohet gjykata Kushtetuese. Është e shprehur qartë se presidenti të bëjë dy emërime të njëpasnjëshme”, tha Meta, duke shtuar se Kuvendi do e akuzonte për shkelje kushtetute nëse zgjidhte edhe të dytin. Por logjika e presidentit nuk qëndron, pasi në këtë mënyrë, ai duhej të priste edhe Gjykatën e Lartë për vakancën e vet, që mos t’i zinte radhën dhe respektivisht me këtë logjikë, nuk e ka shkelur Kushtetutën me emërimin e të dytit, por e ka shkelur me të tretin. Për këtë Meta pretendoi se “Gjykata e Lartë, është situatë specifike, që presidenti nuk ka përgjegjësi dhe të tjerët e kanë deklaruar se do të zhvillohet në një moment të dytë”. Por sipas tij, ai e ka dekretuar gjyqtaren Xhaferllari që mos të kapet Gjykata Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese është vendosur kusht nga e gjithë Europa, por sipas Kushtetutës dhe jo lojërave që bëhen për kapjen e gjykatës që janë mjaft evidente. Ditën e hënë u detyrova të bëj një postim që i kam thënë Kuvendit që përmbushni përgjegjësinë tuaj se unë e kam bërë time. Ju plotësoni tuajën dhe unë brenda 24 orëve do të plotësoj tjetrën që t’i jepja mundësi Kuvendit brenda afatit kushtetues të plotësonte vakancën e dytë. Ata vepruan ndryshe, kjo është përgjegjësi e tyre dhe jo e imja dhe unë jam i detyruar që të ndërmarr përgjegjësitë e mia” tha ai.

Meta sulmon edhe kryeprokuroren Marku

Ndërkohë, ai nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe sulmet ndaj kryeprokurores Arta Marku, duke e akuzuar se e ka paragjykuar Xhaferllarin, pasi ajo ishte më e shkëlqyera. “Është emri me CV me të shkëlqyer që ka sjellë KED, një person i diskriminuar. Një person që nga dy persona të shfaqur tërësisht politik nga KED ka pasur vlerësimin zero. Ndërkohë ka pasur vlerësim të shkëlqyer për karrierën dhe shkollimin”, tha Meta, duke pasur parasysh pretendimet e ngritura nga marku dhe Dvorani për raportin e DSIK me tre informacione inkriminuese ndaj Xhaferllarit.

Diplomatët e korruptuar

Por, sipas Metës e gjithë kjo vjen për shkak se mafiozët po tentojnë të marrin kompetencat. “Ua kam thënë edhe disa diplomatëve të korruptuar, ne kemi bërë një marrëveshje që asnjë ditë Shqipëria nuk do të mbetet pa gjykatë funksionale. Por lojërat nga një ushtar i partisë me lojëra të tilla të turpshme që as fëmijë rrugaçë nuk i bëjnë që të rrëmbejë kompetencën në mënyrë mafioze. Kjo është e vërteta dhe nëse këta zotërinj mendojnë se do të bëjnë drejtësi në këtë mënyrë dhe kur ata guxojnë dhe bëjnë këto lojëra me Presidentin, mendo se çfarë bëjnë me hallexhinj të Unazës së Re”, tha ai. Sipas tij, shqetësimet kundër KED-së nuk i kemi bërë publike se nuk kemi dashur ta dëmtojmë më shumë këtë proces. “Ky kryetar KED bën këto lojëra e filma e nuk ka ngelur më budalla pa i kuptuar përveç të korruptuarve shqiptarë e ndërkombëtarë. Ua kam thënë edhe disa diplomatëve të korruptuar, ne kemi bërë një marrëveshje që asnjë ditë Shqipëria nuk do të mbetet pa gjykatë funksionale”, përsëriti ai me tone të forta.

Meta i mbyll derën Vorpsit!

Po ashtu, Presidenti Ilir Meta la të kuptuar se nuk do të organizojë ceremoninë e betimit për anëtaren e zgjedhur automatikisht nga KED në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi. Ai tha se është një publikim “kontrabandë” në Fletoren Zyrtare zgjedhje e Vorpsit, dhe se i vetmi veprim kushtetues sipas tij, është zgjedhja e Marsida Xhaferllarit, megjithëse emërimi saj ka hapur një tjetër debat të madh dhe kaos në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, duke i shtuar kështu ditët vetes në krye të vendit.




Skip to toolbar