Media amerikane Daily Beast ka zbardhur përpjekjet e demokratëve shqiptarë për të hequr kandidaturën e Kathleen Kavalec të mandatuar nga presidenti amerikan Donald Trump si ambasadore në Shqipëri. Në një artikull të zgjeruar media amerikane shkruan se kjo është strategji që po ndjekin shpesh qeveritë e huaja apo subjektet partiake për të anashkaluar zyrtarë amerikanë që nuk u pëlqejnë. “Ata mbushin administratën amerikane me papastërtitë konspirative për t’i portretizuar ata si armiq të Presidentit Donald Trump”, shkruan gazeta. Lidhur me Shqipërinë, Daily Beast shkruan se PD punësoi një kompani amerikane e cila shfrytëzoi lidhjet me senatorët amerikanë për të hequr emrin e diplomates Kathreen Kavalec si ambasadore në Shqipëri.
Daily Beast shkruan se “Kathleen Kavalec, një zyrtare karriere në Departamentit të Shtetit, u kandidua nga Trump për të qenë ambasadore në Shqipëri korrikun e kaluar. Ajo e kaloi shpejt vettingun e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit dhe konsultimet tipike me homologët diplomatikë në Tiranë ndodhën pa incidente, sipas një zyrtari amerikan familjar me procesin”.
Por kur mbërriti data e seancës konfirmuese të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Kavalec zhvilloi një telefonatë formale me me senatorin Ron Johnson për të prezantuar veten me shefin e nënkomitetit të Jashtëm me juridiksion Europën.
Gazeta shkruan se ndërkohë që priste emërimin në detyrë, Kavalec e gjeti veten nën hetim.
“Johnson shpejt ua kaloi thirrjen telefonike hetuesve të ekipit të një Komiteti të dytë që ai kryeson, atij të Sigurisë së Brendshme dhe Çështjeve Qeveritare. Ata kërkuan detaje të një takimi në Tetor 2016 mes Kavalec dhe një prej armiqve politikë më të urryer të Trump-orbitës, Christopher Steele, “dosja” e të cilit me pretendime të paverifikuara dhe të pavërtetuara kundër Trump kishte qarkulluar në qarqet e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës, ku zyrtarët po shqyrtonin kontaktet ruse të individëve në rrethet e Trump. Shpejt u bë e qartë se Johnson ishte më pak i interesuar në kualifikimet e saj si diplomate, ose në politikën e ShBA-ve ndaj Shqipërisë, dhe më shumë me rolin e supozuar të Kavalec në “gjuetinë e shtrigave” anti-Trump të Steele. Pas telefonatës, zyrtarët në Departamentin e Shtetit, të shqetësuar se seanca e Kavalec ishte gati të shndërrohej në një shfaqje gjyqi, e tërhoqën nga stenda e dëshmitarëve. Javë më vonë, ajo u njoftua se nuk do të merrej asnjë veprim për emërimin e saj, dhe se kur të skadonte nominimi në fund të vitit, ajo nuk do të rinominohej. Kavalec ishte jashtë kandidimit për ambasadore. As Kavalec dhe as kolegët e saj të Departamentit të Shtetit nuk e dinin në atë kohë që disa javë më parë, stafi i Johnson kishte hapur një linjë komunikimi me lobistët për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partia kryesore e opozitës në vend”, shkruan gazeta amerikane.
Sipas saj në qershor, partia kishte punësuar Sonoran Policy Group, i cili e paraqet veten si një firmë “diplomacie globale private”. Shefi ekzekutiv i SPG Christian Bourge kontaktoi me këshilltarin e lartë politik të Johnson më 5 gusht. Ai raportoi se e kishte informuar këshilltarin për “çështje korrupsioni / sigurie / narko-terrorizmi.” Por, Bourge ngriti edhe çështjen e nominimit të Kavalec. As Bourge dhe zyra e Johnson nuk iu përgjigjën kërkesave për informacion shtesë mbi atë komunikim, ose korrespodencën pasuese midis Johnson dhe Sonoran Policy Group. Por Fionna Hill , në dëshminë e saj në Kongres muajin e kaluar, fajin ia hodhi qartësisht Partisë Demokratike të Shqipërisë për fushatën anti-Kavalec”, shkruan Daily Beast.
Më tej citohet Fiona Hill të ketë thënë: “Unë besoj se ka pasur një goditje kundër saj nga Demokratët shqiptarë”.
Gazeta shkruan më tej se nuk është e qartë se çfarë thanë lobistët e PD-së për Kavalec në komunikimet e tyre vitin e kaluar. Por ata patjetër ishin lundrues të teorive të komplotit në komunikimet me Departamentin e Shtetit dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë. Firma Barnes & Thornburg, të cilën PD e punësoi më parë në vitin 2017, akuzoi partinë në pushtet PS-në në Shqipëri se po bënte ofertat e miliarderit hungarez George Soros — dhe diplomatit të lartë Tom Shannon, asokohe sekretari i Shtetit, për të pasur mbështetjen e Sh.B.A-së./realstory.al