Si rasti “Beqja” nxjerr “offside” “Xhaferllarin”

#NËRADAR


Ilir Meta një ditë më parë hodhi firmën mbi një dekret, i cili më shumë se zgjidhi situatën, shumë të komplikuar deri më tani, e çoi në një tjetër nivel komplikimin e saj. Ai vendosi të zgjedhë Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, në kohën kur tashmë Arta Vorpsi e kishte marrë këtë pozicion, për shkak të mos shprehjes së tij brenda afatit 30 ditor. Është e vërtetë që Ilir Meta nuk ka asnjë përcaktim të shkruar në Kushtetutë për afat 30 ditor, por ky afat është i shkruar e zeza mbi të bardhë në Ligjin për Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Edhe në këtë rast, Presidenti luan me kartën e mosshkeljes së Kushtetuës. Ndërsa shkelja e ligjeve për të nuk përbën tashmë asnjë problem. Ilir Meta, të mërkurën, ka qenë në shkelje të ligjit, pasi në atë moment nuk ka pasur asnjë vakancë për në Gjykatën Kushtetuese.

Por çfarë thotë vetë Gjykata Kushtetuese lidhur me marrjen e mandatit dhe betimit. Në vendimin e vitit 2011, që i hoqi mandatin deputetit socialist Ilir Beqja ky i fundit pretendonte se nuk kishte kryer asnjë shkelje ligjore për sa kohë, nuk kishte kryer betimin. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese argumenton se: “Gjykata çmon se momenti i betimit të deputetit shënon datën e fillimit të ushtrimit të detyrës së tij si deputet dhe jo fillimin e mandatit të deputetit. Në bazë të nenit 71/1 të Kushtetutës, megjithëse Ilir Beqja ka bërë betimin si deputet në datën 25.2.2010, mandati i tij parlamentar konsiderohet i fituar në momentin e shpalljes deputet nga KQZ-ja, pra në datën 1.8.2009, dhe jo ditën e betimit”.


E pikërisht me këtë argument, se momenti i betimit shënon fillimin e ushtrimit të detyrës dhe jo thjesht fillimin e mandatit, Arta Vorpsi i ka dhënë vetë zgjidhje. Ajo ka shkuar në një noter, ka bërë betimin dhe sot ka filluar pune si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. /Realstory.al/




Skip to toolbar