Mediu jep emrat e parë për qeverinë tranzitore

POLITIKË


Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe njëkohësisht aleat i Bashës dhe pjesë e Opozitës së Bashkuar ka bërë për herë të parë të ditur disa nga emrat që mund të jenë pjesë e qeverisë tranzitore sipas tij.

I ftuar në A2news/CNN, Mediu tha se Rama duhet të largohet nga drejtimi i vendit dhe të vendoset sa më shpejtë një qeveri tranzitore për të zhvilluar zgjedhjet lokale dhe parlamentare pas 6 muajsh.

“Unë mendoj që duhet të bëjmë zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare, ndoshta pas gjashtë muajsh. Dhe këtë periudhë gjashtëmujore duhet të kemi një qeverisje që përbëhet nga figura që kanë pasur autoritetin për të kontestuar të keqen brenda forcës së tyre politike, por edhe që kanë qenë me një eksperiencë politike të vlefshme që mund të garantonin një marrëdhënie të qëndrueshme të të dy krahëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.” – tha Mediu

Ndërsa pyetjes se kush mund të jenë përfaqësues të shumicës dhe opozitës në këtë qeveri tranzitore Mediu dha disa emra që ai mendon se janë të aftë të zgjidhin problemet në vend.

“Po ju them disa emra, Arben Malaj, Arta Dade, Ylli Bufi, Rexhep Mejdani, Besnik Mustafaj, Rexhep Uka, Myqerem Tafaj. Pra ka shumë autoritete të cilat besoj kanë frymën dhe interesin për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe i kanë shërbyer me sinqeritet interesave të vendit. Këta janë elementë që e tejkalojnë interesin e palëve. Përveç kësaj, mendoj që Shqipëria ka figura të rëndësishme nga bota akademike dhe intelektuale, që nuk kanë lidhje apo interesa qoftë nga pikëpamja ekonomike, qoftë kriminale.” – u shpreh Mediu



Skip to toolbar