Nga Mero Baze
Ambasadori Borchard e ka një privilegj krahasuar me të tjerët. Ai nuk ka për të qenë më dëshmitar në takimet e presidentit tonë me ambasadorët e tjerë të Perëndimit në Tiranë. Nuk do të dëgjojë më skenarë bazuar në teori konspiracioni, shpërthime deliresh dhe mbi të gjitha, doktrinën e sovranitetit të pushtetit.
Ilir Meta ja ka dhënë këtë mundësi. Pasi i çoi një bandë ta frikësonte tek shtëpia dhe pasi i nxori disa “kokëpalarë” tek Unaza ta dhunonin, siç i quan ai demontruesit zakonisht, tani e ka paralajmëruar të mos i shkelë në zyrë.
Çdo ambasador do kishte një ndjenjë lehtësimi në këtë rast. Një paralajmërim të tillë jo publik, ja pat dhënë dhe ambasadorit Lu në qershor të vitit 2016, një muaj para miratimit të reformës, por meqë nuk e bëri publik, pastaj e theu dhe e priti disa herë më pas në zyrë. Sot ky banalitet është bërë publik dhe ambasadori Borchard, ka rastin ta përdorë këtë mundësi për të mos i shkuar më në zyrë.
Pas tij në radhë në fakt janë gjithë ambasadorët e Perëndimit. Të gjithë e kanë marrë nga një paralajmërim në zyrën e tij. Sot publikisht e mori dhe Maja Kocijancic, zëdhënësja e Bashkimit Europian. Dhe ajo u paralajmërua të mos ndërhyjë në punët e brendshme. E vërteta është e thjeshtë. Ilir Meta sot është person “non grata” i Perëndimit në Shqipëri. Këtë që i ka bërë sot Maja Kocijancic, ja ka bërë më 30 qershor dhe Palmer, por akoma nuk është person “non grata”.
Perëndimi thjesht e ka konsideruar të shkarkuar si president, dhe nuk mbështet asnjë vendim antikushtetues të tij. Nuk mbështeti shtyrjen e zgjedhjeve, nuk mbështet emërimin e Marsida Xhaferllarit në shkelje të Kushtetutës, dhe asnjë akt tjetër që lexohet qartë si përpjekje për të bllokuar ngritjen e institucioneve të Reformës në Drejtësi.
Si i tillë, ai mbetet institucioni më i kontestuar nga shqiptarët dhe Perëndimi në këtë vend. Në këto kushte ai thjesht po e çon situatën tek aktet bazike të respektimit të Kushtetutës, kur duhet ta konsiderosh që nuk ekziston, dhe çdo akt të tij ta zhvlerësosh duke mos e konsideruar, ose duke e penguar qoftë dhe me policë. Në këto kushte, nëse ai kërkon të mbijetojë politikisht, ka vetëm një shans. Të lëshojë zyrën dhe të dalë në rrugë e të bëjë politikë.
Të prenotojë qoshen e stadiumit, siç bëri dje me njerëzit që kishte dërguar, të hedhë parrulla, të bëjë protesta, të rrëmbejë armët po mundi, apo çfarëdo gjë tjetër, po qe se ka fuqi. Kështu të paktën do të ketë shansin të provojë sa fuqi ka të bëhet faktor në politikë me emrin e tij. Me emrin e Presidentit nuk ka më asnjë fuqi. Është shkarkuar “de facto” dhe nuk konsiderohet si i tillë, as nga shqiptarët, as nga Perëndimi.
E vetmja fuqi që ai ka për të nxjerrë “non grata” Perëndimin, apo dikë tjetër në Shqipër, është të provojë ta bëjë këtë si kryetar i ndonjë partie të re, apo LSI, dhe të marrë mbështetje nga ndonjë Shqipëri anti-Perëndimore, nëse ekziston. Si president mund të shpërndajë ndonjë dekoratë dhe të marrë rrogën sa t’i vijë dekreti i shkarkimit “de jure”. Deri atëhere mund të na argëtojë, por jo të na frikësojë.